Marko Fasone ka folur pas ndeshjes së fituar me Kievon, duke prekur tema interesante, mes tyre edhe mbi të ardhmen e Xhenaro Gatuzos: “Puna e Gatuzos është e një cilësie të madhe. Edhe nga Europa League kemi dalë me kokën lart. Me të ka një raport të shkëlqyer, rinovimi do të vijë në momentin e duhur. Këtë javë nuk mendoj se do të ndodhë diçka, por do të vijë momenti i duhur”.
Sa i përket ndeshjes: “Të mos fitonim ndaj Kievos ndoshta mund të pësonim goditje psikologjike të rëndësishme. Ishte një ndeshje e ndërlikuar. VAR- i konfirmoi se është i rëndësishëm, nëse do të ishte të enjten ndaj Arsenalit, ndeshja mund të kishte përfunduar ndryshe. Fitorja na jep një sinjal të rëndësishëm”. Sërish mbi Gatuzon: “Ka një talent të jashtëzakonshëm, i kupton situatat në mënyrën më të mirë. Ai nuk ka vetëm grinte, por edhe një aftësi të madhe motivuesi”.
Kaliniç u çua në tribunë nga trajneri pasi nuk u stërvit me dëshirë. Përflitet për një largim të tij në fund të sezonit, por Fasone hedh poshtë këto lajme: “Ka mbështetjen totale të klubit, besoj se është një vendim i drejte”. Sa i përket Reinës: “Nuk e kemi marrë ende. Nëse do të ishte kjo mundësi, nuk mendoj se do të ishte diçka e keqe të kishim dy vëllezërit Donaruma dhe Reinën”.
E ardhmja e klubit, ndërkohë, në duar të sigurta dhe asnjë re e zezë mbi qiellin e Milanelos: “Asgjë nuk na mungon, i kemi të gjitha. Raporti me Elliott është shumë i mirë, është një fond shumë i rëndësishëm. Nëse kam nevojë për diçka, ata janë të gatshëm. Ne kemi nevojë për rreth 30 mln euro për të plotësuar sezonin, paratë do të vijnë në momentin e duhur”.
Në fund, polemikat sa i përket kalendarit dhe derbit në mesjavë: “Kam parë disa reagime mbi vendimin për të luajtur derbin në një ditë pushimi. Ne kemi bërë gjithçka, kemi provuar që ta shtyjmë për datën 25 prill ose 1 maj, por Interi ka thënë “jo”. Jam i zhgënjyer nga sjellja e tyre.
Shpresojmë që të shohim shumë tifozë si dy të enjte më parë me Arsenalin. Kush ka biletën dhe nuk mund të vijë dot, mund të ndryshojë emër dhe t’ia japë dikujt tjetër. Po përpiqem që të ndihmoj tifozët edhe në ndonjë formë tjetër, që të jenë. E ndjej të kërkoj falje për këtë datë dhe orar”.