Fair play i Partizanit ndez debate, Uvil Zajmi shpjegon: Nuk e thotë rregullorja të hapi portën ekipi për fair play

Dita e djeshme shënoi një rast të papreçedentë në futbollin shqiptar, teksa Partizani i fali golin Kukësit në minutën e 90. Gjithçka ndodhi për shkak të fair play-t, ku pas polemikave për një gol të pandershëm të Muratajt, lojtarët e “demave të kuq” vendosën të qendronin të palëvizur në fushë për t’i hapur rrugën Limajt drejt golit.

Por një vendim i tillë ka hapur debate të gjera në media nga specialistë dhe opinionistë të futbollit. Ish-arbitri i FIFA-s, Uvil Zajmi, ka folur mbi këtë rast për emisionin “Sport Magazine” të moderuar nga Drilon Xhepollari. Sipas tij goli i Kukësit ishte në kundërshtim të plotë me rregulloren dhe arbitri i takimit duhet të kishte ndërprerë menjëherë lojën.

“Ajo që më ka bërë përshtypje është se është marrë si pikë referimi një ngjarje e tillë në Angli. Por që është krejtësisht e gabuar, sepse kurrsesi nuk mund të bëjmë një krahasim të tillë. Mund t’ju them me siguri të plotë që ai veprim nuk duhej lejuar. Është në kundërshtim me rregulloren e futbollit, e cila në asnjë nen të saj nuk shkruan që në një rast të tillë vetë lojtarët të bëjnë një auto fair play. Rregullorja nuk e mendon në mënyrë absolute. Janë vendimmarrje që mund ti marrë vetëm një arbitër, i cili fillon dhe mbaron apo jo lojën, dhe vetëm bilbili i tij mund të orientojë lojën.

Arbitri nuk duhej të lejonte vazhdimin e lojës. Kur loja rifillon nga qendra dhe skuadra kundërshtare qendron në pozicion statik, arbitri duhet menjëherë të ndërpresë lojën. Nuk duhet të lejojë që aksioni të përfundojë. Rregullorja nuk orienton që në rast fair play skuadra të hapi portën dhe të bëjë atë që bëri Partizani dje”, ka thënë Uvil Zajmi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *