Europiani i vajzave U-19/ Shqipëria nis grumbullimin, trajneri Kreshnik Krepi zbardh listën me 20 emrat e ftuar

Kombëtarja shqiptare U-19 për vajza do të nisë nga kjo e mërkurë grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të ndeshjeve të raundit të dytë të vlefshme për Kampionatin Europian 2023 për këtë grupmoshë, ku Shqipëria është shortuar në grupin B7 në Ligën B, së bashku me Skocinë dhe Lihtenshtejnin.

Trajneri Kreshnik Krepi ka grumbulluar 20 futbolliste për këto sfida të rëndësishme, ku Shqipëria U-19 e vajzave do të tentojë të ngjitet në Ligën A për herë të parë. Baza e lojtareve që kanë marrë ftesë nga trajneri kuqezi janë pjesë e ekipeve të kampionatit shqiptar, ndërsa pesë prej tyre aktivizohen në kampionatet jashtë vendit, me ekipe Charlton në Angli, FK Austria Vienë në Austri, Leverkusen në Gjermani, Fc Swift Heper Lux në Luksemburg e Valley Fcct në SHBA.

Grupi kuqezi do të ketë në dispozicion një javë për t’u përgatitur për këto ndeshje, duke nisur kjo e mërkurë. Më pas, vajzat kuqezi do të luajnë më 5 tetor takimin e tyre të parë kundër Skocisë në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 11:30. Ndeshja tjetër e Shqipërisë U-19 për vajza është programuar të luhet më 11 prill, po në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 11:30 ndaj Lihtenshtejnit.

Në rast se Kombëtarja shqiptare U-19 renditet e para në grupin B7, atëherë siguron edhe ngjitjen në Ligën A dhe do të ketë shanse reale për t’u kualifikuar në Europianin e ardhshëm për këtë grupmoshë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *