EURO U-19 për vajza/ Shqipëria e nis me fitore, mund Lituaninë në ndeshjen e parë

Kombëtarja shqiptare e vajzave U-19 fitoi me rezultatin 2-1 ndeshjen e parë ndaj Lituanisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian për këtë grupmoshë. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin ‘Schaffhaussen’ në Zvicër, vajzat kuqezi triumfuan me gola të Klaudia Borcit dhe Rosela Vasës

Trajneri i ekipit kombëtar U-19, Kreshnik Krepi hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Amelia Mone (GK), Angela Nika, Rexhina Maxhalaku, Rosela Vasa, Xhesika Ndoj, Arlinda Kodra (c), Alesja Çinaj, Rigersa Tori, Klesta Ago, Jehona Coka dhe Klaudia Borci.

Vajzat kuqezi e nisën mirë ndeshjen, duke zhvilluar një pjesë të parë mjaft të bukur, jo vetëm në rezultatin e prodhuar, por edhe në rastet dhe lojën e krijuar. Të besuarat e trajnerit Krepi u mbrojtën mjaft mirë, ndërsa prodhuan raste për gol që në minutat e para.

Në minutën e 12-të, Shqipëria pati një rast mjaft të mirë me Rosela Vasën, e cila ekzekutoi një goditje dënimi, që me pak fat për skuadrën tonë mund të kthehej në gol, por topi përfundoi mbi rrjetë. Edhe Borci provon portën kundërshtare në minutën e 27-të, me një gjuajtje nga jashtë zone, por topi shkon sërish jashtë zone.

Goli për Shqipërinë vjen pikërisht në minutën e 33-të, me Klaudia Borcin që kalon vajzat kuqezi në avantazh. Jehona Coka asistoi Borcin, e cila pasi mori topin, kaloi me sukses lituanezet, hyri në zonën kundërshtare dhe goditi topin duke e dërguar në rrjetë.

Rosela Vada dyfishon shifrat për Kombëtaren shqiptare në minutën e 46-të me një super gol nga goditja e dënimit, duke sjellë festë në kampin kuqezi. Pjesa e parë mbyllet me shifrat 0-2 në favor të Shqipërisë së vajzave U-19.

Sakaq, në pjesën e dytë të takimit, trajneri Krepi bën dy zëvendësime, duke hedhur në fushë Era Methoxhën dhe Ornela Brahajn. Në minutën e 63-të, Era Methoxha pati rastin për të trefishuar rezultatin. Mesfushorja përfitoi nga gabimi i portieres lituaneze, duke goditur fort, por topi përfundon në këndore.

Lituanezet na ndëshkojnë në minutën e 75-të, por kjo nuk i demotivon vajzat kuqezi. Coka pati gjithashtu një tjetër mundësi të mirë për të thelluar avantazhin, por portierja kundërshtare pret topin.

Trajneri Krepi bën edhe dy zëvendësime të tjera, duke hedhur në fushë Anversa Muçën dhe Melisa Kurtin. Vajzat kuqezi patën edhe një tjetër mundësi të mirë pak para fundit të takimit, me Muçën, por është sërish portierja lituaneze ajo që shpëton portën nga goli i tretë për Shqipërinë.

Ndeshja mbyllet me rezultatin 2-1 në favor të Shqipërisë, me vajzat kuqezi që renditen në vendin e dytë të grupit B1, me 3 pikë, po aq sa Zvicra. Në takimin tjetër të grupit, vendaset zviceriane fituan 15-0 ndaj Qipros.

Ndeshja e dytë e Shqipërisë U-19 për vajza është të shtunën në stadiumin ‘Wil’ ndaj Qipros.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *