Kombëtarja U-17 ka nisur që prej ditës së mërkurë grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për fazën ‘Elite Round’ të Europianit të kësaj grup-moshe. Ekipi me 25 futbollistët e grumbulluar për këto kualifikuese nga trajneri Ervin Bulku zhvilluan seancën e parë stërvitore pasditen e së mërkurës në ambientet modern të “Shtëpisë së Futbollit”.
Në stërvitjen e së mërkurës, kuqezinjtë kishin edhe një vizitë të veçantë, pasi në këtë seancë të parë, ekipit i është bashkuar edhe trajneri i Kombëtares A, Sylvinho, i shoqëruar zëvendës – trajnerët, Zabaleta, Dorival dhe Salihi.
Trajneri brazilian pati një diskutim edhe me trajnerin Bulku dhe skuadrën kuqezi mbi këto ndeshje dhe mbi rëndësinë që kanë këto takime, ndërsa u kërkoi lojtarëve që ta marrin sa më seriozisht dhe të punojnë fort e me përkushtim për të arritur objektivin historik, kualifikimin në finalet e Europianit 2023 për këtë grupmoshë. Tekniku Sylvinho ndau me kuqezinjtë e vegjël edhe eksperiencen e tij si trajner në fushë, duke qenë për një ditë ‘timonier i Kombëtares U-17’.
Trajneri Ervin Bulku ka grumbulluar 25 lojtarë për këto ndeshje kundër Francës, Zvicrës dhe Letonisë, një pjesë e të cilëve janë ftuar për herë të parë nga Kombëtarja.