Vedat Muriqi është kthyer në liderin e Majorkës, duke qenë thuajse i pazëvendësueshëm në formacion. Forma e shkëlqyer e sulmuesit shqiptar ka bërë që Tino Kadevere të mos ketë hapësira të mjaftueshme në fushën e lojës, por kjo gjë nuk e shqetëson lojtarin nga Zimbabve. Kadevere ka folur për “Cadena SER”, ku pranon formën e mirë të Muriqit dhe shprehet se ndihet mirë të luajë me të.
“Secili lojtar dëshiron që të ketë mundësinë të luajë sa më shumë të jetë e mundur. Është e vërtetë se Muriqi është duke bërë shumë mirë. Nuk më shqetëson të jem zëvendësuesi i Muriqit. Unë ndihem shumë mirë kur ai është krahë meje në fushë. Tani nuk jam në 100%, por ekipi dhe stafi po më ndihmojnë të kthehem në formën time më të mirë”, ka thënë Tino Kadevere./Halit Delibashi-Sport Ekspres/