Jorginho veshi fanellën e Chelseat për gati pesë vjet dhe ishte një nga kapitenët e klubit londinez, por këtë dimër papritur vendosi të largohej nga Stamford Bridge dhe përfundoi në anën tjetër të Londrës, duke nënshkruar për Arsenalin.
Askush nuk e priste kalimin e Jorginhos nga Chelsea në Arsenal, por klubet londineze arritën shumë shpejt të arrijnë një marrëveshje në fund të afatit kalimtar. Chelsea duhej të shiste dikë pas përforcimeve që sollën dhe Arsenali e përdori këtë moment për të sjellë Jorginhon.
Nuk kaloi shumë kohë që italiani të përshtatej me skuadrën e tij të re dhe tashmë është e qartë se lojtarët e tjerë të Arsenalit e pritën shumë mirë, edhe pse deri pak javë më parë ishin rivalë.
Kjo vlen veçanërisht për Granit Xhakën, i cili në vitet e kaluara pati disa përplasje të ashpra me Jorginhon në derbin e Arsenalit dhe Chelseat dhe shumë pyesnin se si do të funksiononin si bashkë lojtarë dhe si do të reagonte Xhaka pas ardhjes së italianit.
Megjithatë, Jorginho vendosi t’u japë fund spekulimeve dhe të zbulojë publikisht se çfarë marrëdhënie ka me Xhakën dhe si reagoi zvicerani për transferimin e tij nga Chelsea në Arsenal.
“Është e vërtetë që kemi pasur disa përplasje në fushë më parë, por jashtë saj ai është një djalë me të vërtetë i mrekullueshëm dhe tani ne qeshim me të gjitha. Jashtë fushës ai është krejtësisht ndryshe dhe më pranoi mirë që nga dita e parë.
Një ditë e pyeta nëse dinte një restorant ku mund të shkoja për darkë me familjen time, dhe ai përfundoi duke bërë një rezervim dhe duke paguar gjithçka paraprakisht”, tha Jorginho. /Sport Ekspres/