“Është gjithmonë e njëjta muzikë”! Trajneri i Kastriotit flet pas humbjes 4-1 me Partizanin: Jemi si një kala rëre, prishet sa vjen dallga

Partizani ka arritur që të fitojë thellë kundër Kastriotit në shifrat 4-1. Një ndeshje që nuk solli probleme për të kuqtë, të cilët marrin kreun e Superiores së bashku me Tiranën, duke numëruar 44 pikë. Ngjashmëria është e frikshme me bardheblutë pasi të dy ekipet kryeqytetase kanë nga 13 fitore, 5 barazime dhe 8 humbje.

Sa i përket ndeshjes së sotme, Tedi Cara do të hapte rrugën e rrjetës në minutën e 35, ndërsa Matondo lëshoi një predhë që u ndal në rrjetë në 41. Krutanët hapën lojën me golin e Mihanës në të 44, por më pas ishte radha për dy afrimet e janarit që shiheshin si zëvendësuesit e Skukës. Selmani dhe Mba arritën të realizonin nga një gol në këtë takim duke u zhbllokuar për t’i dërguar shifrat në 4-1. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Cela: “Është gjithmonë e njëjta muzikë, ekipi është i brishtë. Gjatë javës kam parë përkushtim dhe disiplinë. Por mjafton një gabim që atë që ne kemi ndërtuar të prishet. Vendi i fundit po ndikon, është psikologjike. Kemi pasur shumë dëmtime dhe ky pushim i Kombëtares do të na shërbejë shumë. Nuk është një humbje që ndikon te ne, por të mërzit mënyra sesi ne humbëm. Jemi si një kala rëre që më momentin e parë që vjen një dallgë, prishet”.

Kolela: “E kishim vlerësuar shumë ndeshjen sot. E kemi respektuar kundërshtarin dhe kemi bërë ato gjëra që unë kërkova. Sulmuesit jetojnë për të bërë gola dhe sot jemi të kënaqur që tre prej tyre shënuan. Por sulmuesi bën gol kur ekipi e mbështet, prandaj është meritë e të gjithëve. Sikur e prisja që të më pyesnin edhe për këtë gol të pësuar(qesh). Kemi ende punë për të bërë, këtë e pashë edhe para se të pësoja. Këtu ka shumë lojtarë të talentuar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *