Erling Haland i ka lënë të gjithë gojëhapur këtë sezon. Talenti norvegjez është një makineri e vërtetë golash dhe këtë e tregoi edhe me Dortmundin, ku u transferua në janarin e shkuar. Klubet më të mëdha të Europës e duan 19-vjeçarin në skuadër dhe mediat po ziejnë për një kalim të tij në radhët e Realit të Madridit.
Megjithatë e ardhmja nuk është vendi ku mendja e Haland gjendet. Sulmuesi norvegjez në një intervistë të dhënë së fundi shuan shpresat e ekipeve të tjera, duke treguar se ndodhet në një nga klubet më të mirë në botë. Madje thekson se nuk e mendon largimin nga verdhezinjtë, me të cilët dëshiron trofe në të ardhmen.
“Nuk mendoj shumë për të ardhmen, jetoj në të tashmen dhe vendos se çfarë është më e mira për karrierën time në çdo moment specifik. Unë u bashkova me Dortmundin në dimër me shumë bindje. Ata janë një nga skuadrat më të mira në botë. Kam nënshkruar një kontratë të gjatë, kështu që tani nuk mendoj të largohem fare. Unë dua të arrij diçka me Borusian, jo gjithmonë vetëm të dytët, por edhe të fitoj tituj nëse është e mundur. Ne duhet të vendosim objektiva, duam të sulmojmë”, ka thënë Haland./Halit Delibashi-Sport Ekspres/