Shpeshherë rrjetet sociale dhe postimet e ndryshme që bëhen në to, kthehen edhe në kryefjalë mediatike. Ndonjëherë me të drejtë, e në raste të tjera me shumë ekzagjerim. Te kjo e fundit futet edhe rasti i Esat Malës.
Esat Mala është gati për të bërë hapin e madh dhe të provojë veten jashtë Shqipërisë, në një kampionat edhe më të fortë. Por mjafton një postim i një prej zyrtarëve të Ballkanit, ku tregohet një rrugë me emrin “Esat Mala”, për të bërë “zhurmën” e zakonshme.
Sigurisht që nuk mund të kishte një të vërtetë në këtë çështje. Pavarësisht se Ballkani renditet në vendin e parë në elitën e Kosovës, Mala po kërkon që të provojë veten në një kampionat që ka më tepër cilësi edhe se në Shqipëri. Prandaj e gjitha kjo kthehet edhe në kuadrin e qesharakes. “Gazeta Olle” ka kontaktuar me zyrtarin e Ballkanit që publikoi foton e rrugës “Esat Mala” në Komunën e Suharekës, Arben Osmanin, që sqaron gjithçka:
“Nuk ka absolutisht asgjë të vërtetë rreth interesimit të klubit të Ballkanit për Esat Malën. Unë atë e kam bashkëfshatar, ajo rrugë mban emrin e gjyshit të tij dhe e postova. Kjo është e vërteta e vetme”, tha Osmani. /Sport Ekspres/