Erzeni ndalet nga Dinamo, tension dhe akuza pas ndeshjes

Glen Domi

Erzeni dështon sërish në shtëpi këtë radhë ndaj Dinamos, e cila mori një pikë me mjaft vlera në Shijak. Shijakasit prodhojnë lojë dhe raste por ndëshkohen me një gabim. Në fund akuzojnë edhe gjykimin… Pjesën e parë e dominojnë tërësisht vendasit që janë të gjithë në sulm. Pavarësisht se topin nën kontroll e kanë shijakaset, rastin e parë e krijojnë miqtë. Nuriu merr një top në mesfushë dhe pason në sulm tek Hasa, i vetëm me Dajsinanin Hasa gjuan fortë, por është për t’u përshëndetur pritja e Dajsinanit që ndalon një gol të sigurt. Vetëm ky rast për Dinamon, pasi pjesa tjetër e lojës është e gjitha e Erzenit. Shijakasit krijojnë raste, por goli do të vinte në minutën e 20-të të takimit. Rejnaldo Troplini kroson nga e djathta, aty është mbrojtësi mik Doksani që largon me kokë, por topin e larguar prej tij e merr Dakavelli. Mesfushori zbret nga e majta, stopon me gjoks dhe gjuan në mënyrë të shkëlqyer duke zhbllokuar rezultatin. Edhe pse në avantazh Erzeni kërkon sërish gol por nuk finalizohen aksionet. Mesfushori Deliallisi i afrohet golit me një goditje dënimi në minutën e 34′ por ka devijuar me vështirësi portieri dinamovit, Saraçi. Edhe në minutën e 40′ Erzeni është pranë dyfishimit të shifrave, Orian Xhemalaj gjuan bukur, por “sfera” kalon ngjitur me shtyllën. Mbyllen 45′ minutat e para me dominimin e Erzenit që u duk sikur këtë ndeshje e kishte të fituar.

Pjesa e dytë – Nis me një tjetër atmosferë pasi moti përkeqësohet dhe shiu i vazhdueshëm rëndon terrenin. Gjithsesi, edhe pjesa e dytë foli sërish për Erzenin që ka disa raste shënimi. Madje, herë pas here me Deliallisin që tenton portën por nuk shënjestron kuadratin. Miqtë zbresin në një kundërsulm me kapitenin Gjata, i cili tenton nga distanca, por topi i tij devijohet në goditje këndi. Pikërisht nga kjo goditje këndi vjen goli i barazimit. Ka një rrëmujë në zonë dhe aty përfiton Muça që gjuan duke lënë të shtangur ekipin vendas në minutën e 60-të. Shijakasit rifillojnë lojën dhe ndërtojnë një aksion të bukur, Xhemalaj shërben tek Rejnaldo Troplini mesfushori ndodhet në zonë ku ka dhe një pengim por kryesori Yzeiraj nuk akordon asgjë duke tensionuar situatën. Me këtë situatë të tensionuar ndëshkohet vetëm Deliallisi me të verdhë për protestë. Kalojnë minutat dhe Erzeni kërkon golin por duke mos qenë të qartë para porte shpërdorojnë shumë. Në minutën e 71′ ka një moment për diskutim teksa në një kundërsulm të Dinamos sulmuesi Çema niset drejt portës ku pranë tij ka vetëm Vathin. Sulmuesi rrëzohet dhe direkt, gjygjtari i takimit nxjerr kartonin e kuq. Përfundimi i takimit shoqërohet me protesta të vendasve për penallti të mohuar, por edhe sjellje të keqe të gjyqtarëve, ku njëri prej asistentëve është kthyer me ofeza në drejtim të stafit shijakas.

Pas ndeshjes…

Dorian Bubeqi, trajneri i Erzenit: “E kishim vlerësuar takimin dhe meritonim ta fitonim.  Pavarësisht rasteve që humbëm, na u mohua një penallti dhe u ndëshkuam me të kuq pa të drejtë. Isha kundër dhunës që ndodhi në Këlcyrë, por kur shikoj që po na dënojnë prej javësh nuk di as unë çfarë të them”.

Igli Allmuça, trajneri i Dinamos: “Ishte një ndeshje e vështirë. Pjesën e parë patëm një rast me Hasën, më pas u ndëshkuam më vjen mirë që ekipi reagoj dhe shënoi një gol. Ishte një ndeshje shumë e vështirë ndaj një kundërshtari direkt”.

Shpërthen Keçi: Po na masakron kolegjiumi i Arjan Malit

Altin Keçi, shefi i klubit të Erzenit: “Po dënohemi nga kolegjiumi i gjyqtarëve të Fierit dhe i Patosit. Rastet janë të qarta që po dënohemi padrejtësisht nga Arian Mali që vendos këto gjyqtarë”.

Erzeni  1-1 Dinamo

Shënues: Dakavelli 20′ / Muça 60′

Erzeni: Dajsinani, Kalluci, Teqja, Goxha, Vathi, R. Troplini, Xhemalaj, A. Deliallisi, Dakavelli (E. Kllari 77′), Pasha, E. Troplini (Mitraj 65′). Në dispozicion:  Gjuzi, D. Troplini, E.Kllari, Konduri.

Trajner: D. Bubeqi.

Dinamo: Saraçi, Doksani, Shaba, Muça, Nuriu, Hasa (Sulejmani 93′), Çema, Allmuça, Elmazi (Traga 90′), Gjata, Çota (Lika 83′). Në dispozicion: Hoxha, Myslymi, Sulejmani, Traga, Peqini.

Trajner: I. Allmuça.

Gjyqtarë: O. Yzeiraj, E. Pashaj, N. Rrapaj, O. Çela (Patos)

Kartonë të verdhë: Dakavelli 20′, Xhemalaj 41′, Deliallisi 62′ / Muça 53′, Hasa 59′, Çota 65′)

Karton të kuq : Vathi 71′

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *