Unai Emeri ka ikur nga PSG për t’u bërë lider në Londër, aty ku do ta ketë skuadrën nën kontroll, ndryshe nga çfarë ndodhte në Francë te PSG. Dy sezone, 7 trofe për spanjollin, por edhe dështim në Europë dhe marrëdhënie të këqija me skuadrën. Arsyeja? Vetë trajneri bask e zbulon, tani që ka ndërmarrë misionin e ndërlikuar të zëvendësimit të Arsen Vengerit: “Besoj se e bëra pjesën time në Paris. E di kur jam dhe kur nuk jam pikë referimi për skuadrën. Te PSG komandonte Nejmari. Mungon edhe pak, ndoshta, që ai të jetë lideri absolut, por do të ndodhë herët a vonë. Ai iku nga Barcelona për t’u bërë një lider, për t’u bërë më i miri në botë, sepse në Spanjë ishte Mesi”.
Emeri mundohet të mos duket polemik: “Te Barça lideri është Mesi, te Reali është Florentino Perez, tek Atletiko Simeone dhe tek Siti Guardiola. Unë nuk isha lider te Parisi, e kisha kuptuar prej kohësh. Suksesi im më i madh në Francë? Skuadra nuk u dorëzua kurrë, as pas humbjeve të rënda kundër Barcelonës e Realit në Europë”.