Sot janë luajtur dy ndeshjet e radhës të javës së 28 të “Abissnet Superiore”-s. Tirana mori tre pikë mjaft të vyera për garën për mbijetesë. Bardheblutë mposhtën sot një kundërshtar të drejtpërdrejtë si Bylisi, duke shkuar kështu në kuotën e 24 pikëve. Pikërisht 3 pikë më pak se mallakastriotët, të cilët renditen në vendin e 7 në tabelën e klasifikimit.
Ndërkohë, në krahun tjetër Elbasani i është bashkuar Vllaznisë në krye. Verdheblutë kanë mposhtur Flamurtarin e shifrat 1-2 dhe kanë barazuar Vllazninë në numrin e pikëve të grumbulluara, 52 të tilla. Ditën e nesërme do të luhen edhe dy ndeshjet e mbetura të javës së 28. Bëhet fjalë për duelet Vora-Partizani, duke nisur nga ora 15:00, dhe Dinamo-Teuta, e cila nis nga ora 18:00./Sport Ekspres/