Ritëm i kënaqshëm i shitjes së biletave. Në Shqipëri nuk do të vijë asnjë tifoz i Partizanit, siç nuk do të ketë shqiptarë në Beograd
Leonard Trebicka
Atmosfera e ndeshjes mes Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit, që luhet të enjten në mbrëmje, ka filluar të ndihet shumë në Korçë, por edhe në gjithë Shqipërisë. Ndeshen një skuadër shqiptare dhe një serbe, ndaj dhe ndeshja ka marrë vëmendje të madhe. Ka qarkulluar dje në rrjetet sociale lajmi se nuk do të lejohen tifozë kosovarë e shqiptaro-maqedonas të futen në stadium, por është gjithçka e pavërtetë. Ky lajm është hedhur poshtë nga klubi juglindor, që kërkon të largojë çdo provokim të mundshëm, pasi i intereson vetëm fitorja. Drejtuesit e klubit korçar duan të jetë një tjetër ditë feste në Elbasan, ku të gjithë duhet të mbështesin skuadrën e zemrës. Dy ditët në vazhdim do të ketë thirrje për mbështetje sa më të madhe nga ana e tifozëve për Skënderbeun të enjten në mbrëmje. Sot pritet të ketë edhe një sqarim zyrtar nga ana e klubit juglindor në lidhje me zërat dashakeqë për punën e tifozëve.
4 MIJË BILETA – Jo pak, por 4 mijë bileta janë shitur deri dje në mbrëmje për këtë ndeshje. E ka konfirmuar klubi bardhekuq. Në fakt, biletat kanë ditë që kanë dalë në treg, në Korçë, Tiranë dhe Elbasan. Ritmi i shitjeve është i kënaqshëm dhe stadiumi pritet të jetë plot atë ditë. Kujtojmë që kontrollet do të jenë të rrepta dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me kartën e identitetit. Në Korçë dhe jo vetëm janë të interesuar maksimalisht për skuadrën e tyre në këtë moment delikat, sepse një fitore e mundshme e bën Skënderbeun pretendente serioz për vendin e dytë. Klubi korçar konfirmon po ashtu lajmin se autobusët për udhëtimin e tifozëve do të jenë gati të enjten, pasi presidenti Ardjan Takaj nuk do të kursejë asgjë.
TIFOZËT – Duke ditur atë çfarë ndodhi mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, të dy klubet, në bashkëpunim edhe me UEFA-n, kanë vendosur që të mos ketë tifozë miq në të dy takimet. Në “Elbasan Arena” nuk do të ketë të enjten asnjë tifoz të Partizanit dhe në ndeshjen e kthimit Skënderbeu nuk do të ketë asnjë tifoz në Serbi. Një marrëveshje logjike dhe që bën që e gjithë vëmendja të përqendrohet tek ajo që dy skuadrat do të japin në fushë.
Të enjten klubi i Partizanit të Beogradit do të ketë në stadium një delegacion të madh, ku nuk do të mungojnë gazetarë të shumtë, të cilët do të pasqyrojnë gjithçka që do të ndodhë. Por edhe Skënderbeu kur të udhëtojë në Serbi me një delegacion të zgjeruar. Të dyja ndeshjet do të ndiqen në stadium vetëm nga tifozët vendës. Klubi korçar po merr masat që të mos ketë asnjë ngjarje që nuk i intereson futbollit.