Në një intervistë pas ndeshjes kundër Çelsit, tekniku i Barcelonës Ernesto Valverde foli edhe për një temë të nxehtë: Dembele. Ky i fundit nuk e nisi ndeshjen titullar përballë bluve të Londrës, pavarësisht faktit se Kutinjo nuk mund të luante. Edhe pse braziliani nuk ishte i gatshëm për Valverden, tekniku spanjoll zgjodhi të luajë më dy sulmues dhe të lërë Dembelenë në stol, pa e aktivizuar as pas pësimit të golit. Kur u pyet nga gazetarët në lidhje me zgjedhjen e tij, Valverde u përgjigj: “Dembele në stol? Nuk erdha në Londër për eksperimente.”
Kjo deklaratë e trajnerit të Barcelonës ka lënë të kuptohet se nuk preferon aktivizimin e 20-vjeçarit francez, i cili duket se nuk është në planet e Valverdes. Dembele u transferua nga Borusia e Dortmundit në fillim të këtij sezoni për një shifër të majme prej 140 milionë eurosh, por që atëherë u pa qartë se ishte një blerje nga halli, nga presioni i largimit të Nejmarit dhe refuzimi i Liverpulit për të shitur Kutinjon. Edhe pse pritshmëritë ishin shumë të larta për talentin 20-vjeçar, ai zhgënjeu të bindë me paraqitjet e tij.
Dëmtimet e shumta, si dhe stili i lojës i ndryshëm nga ai i skuadrës, duket se kanë qenë penalizuesit e shkëlqimit të Dembelesë, i cili duket i mposhtur edhe nga Kutinjo. Braziliani i ka zënë vendin në formacion, duke lënë në stol ish-yllin e Dortmundit. Edhe për t’i përkeqësuar gjërat akoma dhe më shumë, as dyshja Mesi-Suarez nuk preferojnë që Dembele të luajë krah tyre, duke i bërë trajnerit një “nder”. E ardhmja e Dembelesë duket larg blaugranasve dhe ekipet që e kërkojnë janë të shumta.
Gjithsesi, sulmuesi 20-vjeçar ka akoma shpresë, pasi është ende i ri dhe mund të përmirësohet akoma dhe më shumë, duke i treguar Valverdes që akoma vlen dhe ka të ardhme tek gjigantët spanjoll.