Disa kohë më parë ka bërë bujë në Shqipëri lajmi se “Air Albania” u përzgjodh në mesin e 21 stadiumeve më të mira në botë. Votimet zgjasin deri në datën 15 mars, ndërsa mund të japin mendimin e tyre edhe lexuesit e thjeshtë në faqen e “Stadiumdb.com”.
Kjo faqe është një bazë të dhënash për stadiumet në gjithë botën, që e ka përfshirë edhe ndërtimin në Tiranë për ta shpallur si më të mirin e vitit 2020. “Sport Ekspres” ka komunikuar me organizatorin e këtij kompeticioni, që na tregon më tepër në lidhje me votimet.
Një peshë më të madhe sesa votat e njerëzve do të vijnë nga katër antarë të jurisë. Bëhet fjalë për:
Bence Pottyondy (SPP Architecture, Budapest)
John Rhodes (AFL Architects, Manchester)
John Roberts (HOK Architecture, London)
Antonino Vultaggio (HPP Architekten, Dusseldorf)
Aktualisht mungojnë edhe dy vota nga kjo juri, që do të merren të hënën e ardhshme. Por deri tani, me dy votimet e para nga juria, “Air Albania” është drejt finales. Pra stadiumi shqiptar është vlerësuar së tepërmi, ndërsa në fazën tjetër do të gjenden vetëm 10 stadiume, duke u eliminuar 11 prej tyre. Por duhet të presim ende për dy votimet e tjera që kanë të njëjtën peshë në këto votime. /Sport Ekspres/