Ekskluzive/ “Shqiptar lind, nuk bëhesh”! Rrëfimi i babait të Nedim Bajramit: Gjyshi e ndoqi kudo, jemi edukuar me frymë kombëtare

Nga Klaudio Ndreca

Aktualisht familja e Nedim Bajramit ka marrë gjithë bekimet e shqiptarëve për zgjedhjen që ka bërë ylli i Empolit. Mesfushori 22-vjeçar shihet me të ardhme premtuese dhe gjithmonë tregon diferencën në fushën e lojës nga të tjerët. Për më tepër që ishte edhe elementi i vetëm që i mungonte kësaj Kombëtare. Në mesfushën e mbushur me muskuj do të kemi vend edhe për fantazinë e Bajramit.

Ky i fundit nuk zgjodhi që të vazhdonte me Zvicrën, por iu bashkua Shqipërisë me misionin e kualifikimit në turnetë prestigjioz. Mes letrës dhe zemrës, Bajrami zgjodhi me këtë të dytën. Aspak surprizuese nëse do të njihnit edhe familjen e tij që ka ruajtur të gjithë traditat shqiptare, duke e përmbushur detyrën tek fëmijët për ta trashëguar brez pas brezi.

Në një intervistë për “Sport Ekspres”, babai i Nedimit, Seipi, flet pak dhe tregon shumë për të kuptuar dashurinë që ata kanë ndaj atdheut. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk na zhgënjejnë kurrë, ndërsa nëse zemra e familjarëve të Nedimit “ndahet me dysh”, nuk bëhet fjalë për “Zvicër-Shqipëri”, por për “Shkëndijë e Tetovës(Shqipëri)-Shqipëri”.

Jeni familja që aktualisht keni marrë bekimet e gjithë shqiptarëve pas vendimit të Nedim Bajramit. Fillimisht dua t’ju pyes, a ka shumë tifozë që ju dërgojnë mesazhe dhe ju përgëzojnë për këtë ardhje te Shqipëria?

Po, shumë tifozë nga të gjitha trojet shqiptare na kanë shkruar. Janë mesazhe mbështetëse dhe ne për këtë gjë ndihemi shumë krenar dhe jemi shumë të gëzuar.

Shqiptarët e Maqedonisë nuk na zhgënjejnë as këtë herë. Pas Seferit dhe Alijit, vijmë në rastin tuaj. Sa shumë e ndieni ju në këtë trevë frymën kombëtare dhe sa e përkrahni Shkëndijën e Tetovës?

Për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, zemra është e ndarë në dysh për Kombëtaren Shqiptare dhe Shkëndijën e Tetovës. Këto i përkrahim gjithmonë pasi e kemi obligim kombëtar brez pas brezi.

Le të kalojmë pak te karriera e Nedimit. A është e vërtetë që iu fut futbollit nga gjyshi dhe a është ai personi që donte ta shihte me çdo kusht me fanellën kuqezi?

Nedimi e ka filluar futbollin në moshë shumë të re. Për shkak se unë kisha shumë angazhime në punë, gjyshi i tij e dërgonte gjithmonë në stërvitje dhe është dashamirës i madh i futbollit. Padyshim që ka kontribut shumë të madh që Nedimi është në këto nivele tani.

Si është rritur Bajrami, pasi ka lindur dhe u formua në Zvicër. I keni folur shumë për Shqipërinë, që të mos harronte në asnjë moment rrënjët e tij?

Ka lindur në Zvicër, ku ka mbaruar edhe shkollimin. Ne gjithmonë jemi edukuar me frymën kombëtare dhe traditat shqiptare. Këtë gjë po e përcjellim edhe te fëmijët tanë brez pas brezi. Shqiptar lind, nuk bëhesh!

Vendimi për t’iu bashkuar Shqipërisë. Keni komunikuar me shqiptarët e tjerë të Zvicrës si Xhaka e Shaqiri? Po ju në jetën tuaj babai i Nedimit, keni vendosur më shumë me zemër apo me laps e letër? (Për Shqipërinë, Nedimi vendosi me zemër)

Jo, nuk kemi folur me asnjë. Ky vendim ka qenë me zemër. Normalisht kemi biseduar me Nedimin dhe të gjithë ne kemi arritur vetëm në një mendim që të zgjedhim Kombëtaren Kuqezi.

Imagjinoni për një moment nëse Shqipëria do t’i fitonte ndaj Hungarisë me një gol të Nedimit. A do të kishte krahasim ky moment me tre gola të shënuara me fanellën e Zvicrës A?

Ne do të lumturoheshim shumë nëse fitonte Shqipëria, nuk ka fare rëndësi emri se kush e shënon golin.

Komunikimi me pjesëtarët e FSHF-së për të bërë kalimin. Çështja u duk e pamundur në fillim dhe u triumfua vetëm në CAS. E menduat për një moment se dëshira nuk do të plotësohej?

Jo, në asnjë moment të vetëm nuk e kemi menduar se dikush do ta ndalonte vullnetin tonë për t’iu bashkuar Kombëtares.

Aktualisht familja juaj dhe djali juaj është shembulli për t’u ndjekur. Keni një thirrje për të bërë për të gjithë futbollistët shqiptarë që rriten në Zvicër? Të vjetërit thonë…guri i rëndë, peshon në vendin e tij…

Po, është e vërtetë. Në Zvicër ka shumë talente shqiptarë dhe padyshim që thirrja ime është që t’i bashkohen Kombëtares së Shqipërisë. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *