Nga Klaudio Ndreca
Irakli Dzaria ishte mesfushori që luajti për një sezon e gjysmë me ekipin e Kukësit, duke fituar simpatinë e klubit dhe tifozëve të verilindorëve. Lojtari gjeorgjan do të zgjidhte një tjetër aventurë në karrierën e tij duke kaluar te Torpedo Kutaisi.
“Sport Ekspres” e ka intervistuar Dzarian për të kuptuar edhe mbresat e lëna nga Shqipëria. Gjithçka vlerësohet në maksimum nga ana e tij, megjithëse puna ngec gjithmonë kur bëhet fjalë për…rrogën. Mesfushori është shprehur se nuk i pëlqen asnjëherë kur presidenti nuk paguan ekipin, ndërsa nga ana tjetër futbolli është një profesion që mban edhe familjen.
“Te Kukësi për mua kanë qenë 1 vite e gjysmë shumë të mira. Skuadra ishte e mirë dhe kam pasur shumë shokë atje. Tirana ishte vendi më i mirë për të jetuar në Shqipëri, ndërsa kampionati juaj sa vinte dhe bëhej më i fortë. Të gjitha skuadrat ishin të forta, ku flasim këtu për Partizanin, Tiranën, Skënderbeun dhe Teutën. Përshtatja ishte e lehtë kur erdha te Kukësi pasi lojtarët më ndihmuan dhe ishim si një familje.
Peter Pakult ishte për mua trajneri perfekt dhe një person i vërtetë. Kishte mentalitet fitues dhe për mua më e rëndësishmja ishte disiplina në stërvitje dhe në ndeshje. Fantastike që kam punuar me të dhe u surprizova kur e larguan.
Kam luajtur ndaj shumë skuadrave të mira në Shqipëri dhe ishte një gjë e mirë. Por disa gjëra ishin të gabuara atje, ishte problem që të merrje rrogën dhe kjo është e pamundur. Të gjithë futbollistët kanë familje dhe ata kanë nevojë për para dhe që të kalojnë muajin. Pa para është e pamundur që të mendosh për futboll dhe pas kësaj nuk mund të luash mirë.
Safet Gjici ishte një president i vështirë, por ka një mentalitet fituesi. Bëhej shumë i çmendur kur Kukësi e humbiste një ndeshje. Por mua nuk më pëlqen kur presidenti nuk të paguan rrogën. Marrëdhënia jonë ishte e mirë, ashtu si me të gjithë stafin. I uroj të gjithë lojtarëve që të fitojnë sa më tepër ndeshje dhe të marrin rrogat edhe për familjet e tyre”, ka thënë Irakli Dzaria. /Sport Ekspres/