Ekskluzive/ “Privilegj të rritesh nga dora e Bushit”, talenti shqiptar firmos për Lokomotivën: Prenga më…

Nga Klaudio Ndreca

Një tjetër prodhim i futbollit shqiptar ka bërë kalimin për të provuar një eksperiencë të re në karrierë. Këtë herë bëhet fjalë për futbollin e të rinjve teksa mbrojtësi Keslin Shani është larguar nga Akademia e Futbollit që është krijuar nga Alban Bushi për të shkuar te Lokomotiva e Zagrebit.

Në “tokën e premtuar” për futbollistët me origjinë shqiptare që shkojnë në Kroaci, atje ku ka vetëm një ndërmjetës, Besnik Prenga. Ky i fundit nuk po ngurrohet duke i dhënë mundësi fantastike talenteve që dëshmojnë aftësitë e tyre në vendin tonë.

Gjatë mbrëmjes së djeshme “Sport Ekspres” mëson se është firmosur kontrata e Shanit te Lokomotiva, duke qenë pjesë e saj për 1 vit e gjysmë. Mbrojtësi i datëlindjes 2002 që është edhe pjesë e grupmoshave të Shqipërisë do të shkojë fillimisht tek ekipi U-19 i Lokomotivës dhe në bazë të paraqitjeve të bëra atje, do të pretendojë për kalimin në ekipin e parë.

Firma e hedhur në kontratën e Lokomotivës së Zagrebit. Çfarë do të thotë për ty ky kalim?

Firma e hedhur me këtë skuadër do të thotë shumë për mua. Kam punuar shumë për ta nënshkruar këtë kontratë dhe ndihem vërtet i lumtur pasi kam firmosur me një nga ekipet më të mëdha të Kroacisë.

Biseda e bërë me drejtuesit e ekipit kroat. Aktualisht je pjesë e U-19,  të është premtuar kalimi në ekipin e parë?

Po, aktualisht jam pjesë e U-19 të Zagrebit. Më është premtuar ekipi i parë për një ftesë që do të vijë në bazë të paraqitjeve që do të zhvillojë me të rinjtë.

Besnik Prenga i ka ndihmuar së tepërmi lojtarët shqiptarë për të bërë kalimin te Lokomotiva. Ishte i njëjti person që të ndihmoj për këtë trampolinë?

Profesor Prenga më ka ndihmuar edhe mua për kalimin tim te Lokomotiva. Më duhet të them se është një nga nerëzit e parë që ka besuar tek unë dhe aftësitë e mia.

Ndërkohë je i formuar nga dora e Alban Bushit. Çfarë të veçante ka trajneri në fjalë në komunikimin me futbollistin dhe njëkohësisht me punën që kërkon prej jush?

Të jesh lojtar i formuar nga dora e profesor Albani është privilegj i madh se ka qenë një lojtar i madh dhe është një nga legjendat e futbollit shqiptar. Profesori është njeri shumë i komunikueshëm me futbollistët. Gjithmonë kërkon që të nxjerrë më të mirë nga lojtarët e tij si në stërvitje, po ashtu edhe në ndeshje.

Ke kontaktuar gjatë këtyre kohëve ndonjë prej lojtarëve shqiptar të ekipit të parë nga Lokomotiva, për të ndihmuar me përshtatjen?

Po që nga ardhja ime kam komunikuar me pjesën tjetër të lojtarëve shqiptarë që ndodhen te Lokomotiva. Më kanë ndihmuar shumë me përshtatjen në këtë qytet dhe pothuajse shihemi dhe qëndrojmë bashkë, çdo ditë.

Dëshira jote më e madhe Keslin. Ku do të shohim pas disa vitesh dhe cili është modeli që ndjek?

Dëshira ime është që të luajë në një nga pesë kampionatet më të forta të Europës dhe që të jem pjesë e Kombëtares A. Por si fillim dua të bëj mirë tek Lokomotiva e Zagrebit dhe këtu është gjithë fokusi im. Modeli që ndjek është Lorik Cana pasi jo vetëm që ka luajtur në pozicionin tim, por ishte një lider dhe kishte shpirtin luftarak. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *