Shqipëria humbi me shifrat 1-0 nga Polonia në transfertën e Varshavës. Kuqezinjtë ndryshuan shumë nga periudha e mëparshme me debutimin e Silvinjos, por në fund nuk arritën dot që të dilnin me pikë.
Sport Ekspres ka intervistuar ish-futbollistin e Kombëtares, Ilir Alliu, që shprehet se kuqezinjtë nuk dinë të krijojnë mundësi goli dhe ia lënë gjithçka në dorë fatit. I befasuar tërësisht me paraqitjen e Jasir Asanit dhe nga ana tjetër Alliu jep një shpjegim interesant se përse Uzuni i Granadas ndryshon me atë të Shqipërisë.
“Nuk jam befasuar shumë nga paraqitja e Shqipërisë dje. Nuk është hera e parë që ne luajmë në një mënyrë të tillë në ndeshjen e parë të grupit. Në çdo fillim sezoni, gjithmonë bëjmë paraqitje të mira. Mendoj se po ngopemi me lugën bosh, kjo punë është me pikët, duhet të mbledhësh pikët për të arritur Europianin. Por duke parë mungesat, kjo ishte një Shqipëri e pranueshme.
Nëse flasim për dëshirën dhe sakrificën që u tregua dje, kjo është një temë tjetër pastaj. Po diskutove dëshirën dhe sakrificën që mungon për Kombëtaren, atëherë ku do ta tregosh tjetër nëse nuk e shfaq për Kombëtaren? Vullneti për të bërë mirë është detyrim.
Ne nuk duhet të presim nga Zoti dhe të themi që jemi pafat, duhet të meritojmë rezultatin pozitiv, nuk justifikohet vetëm nga mungesa e fatit. Nuk pashë ndonjë përmirësim të jashtëzakonshëm dje nga loja. Polonia nuk ishte në lartësinë e asaj që ne prisnim, ishin të tronditur dhe në fund i mori prapë pikët që deshi.
Mua më shqetëson se ne i dhamë një dorë polakëve në një ditë të keqe, ata tani janë të zhbllokuar psikologjikisht për vazhdimin e këtyre kualifikuese. Jam me këmbë në tokë, nuk pres një kualifikim të Shqipërisë. Nuk dua të ngremë pritshmëritë dhe në fund të zhgënjehemi. Nuk besoj se do të shkojmë në Europian, megjithëse uroj me zemër që kjo të ndodhi.
Mua do të më lumturonte nëse Kombëtarja do të kishte një moshë të re në përbërje, disa lojtarë që ishin dje në fushë janë drejt shterimit të tyre, nuk ka më prespektiv. Po i kërkojmë rezultatet në mënyrë rastësore gjithë jetën, për disa vite rresht nuk kemi një stil loje në sulm. Ne dalim në sulm nga rastësia, nuk ka një person që e di sesi Shqipëria sulmon.
Nëse do e dominomin Poloninë, ta mbanim në presion te porta e tyre dhe të godisnim portën, atëherë mund të thonim që u ndëshkuam rastësisht dhe nuk e meritonim humbjen. Silvinjo duhet ta pranoj që Shqipëria nuk di të sulmojë. Nëse e pranon këtë gjë, atëherë do të ishte shumë mirë për të korrigjuar problemin. Ne nuk dimë të sulmojmë se nuk kemi aftësi në mesfushë, kur kemi topin në këmbë, nuk dimë të luajmë. Duam rezultat pa ditur si shkohet të porta.
Uzuni? Te Granada vendoset në pozicion goli, këtu duhet ta gjejë vet. Mos harroni edhe një gjë të rëndësishme, nëse Uzuni luan në La Liga 2, mbrojtja kundërshtare ka vetëm një element të mirë në prapavijë. Ndërsa kur luan kundër një Kombëtare, atje luajnë më të mirët e shtetit të tyre, ka shumë ndryshim nga cilësia e kundërshtarët dhe serioziteti i garës.
Asani? Bast i fituar i Silvinjos, ishte më lartë se 70% e lojtarëve tanë. Kishte cilësi në këmbë, na jepte shumë frymëmarrje. U surprizova për mirë nga ky futbollist, megjithëse kemi kohë që dëgjojmë për lojtarë të rinj që do të na habisin, Asani e justifikoi pritshmërinë. Unë për vete jam edhe fansi i Armando Brojës. Por a ndikoi mungesa e tij? Duhet të dimë sesi ta shfrytëzojmë, për t’i marrë produktin. Nëse ti e lë Armando Brojën në duele në ajër që të lodhet fizikisht me kundërshtarin, të marrë topin dhe të shkojë te porta pastaj, t’i bëjë të gjitha i vetëm, nuk mundet dot asnjë lojtar. Mund ta zgjidhi një ndeshje i vetëm, dy, por nuk mund të fitojmë gjithmonë kështu”, tha Alliu. /Sport Ekspres/