Ekskluzive/ “Presidenti i Botosanit nuk më lë të iki”, Enriko Papa për mungesën e Kombëtares dhe dyshuesit: Diçka më bën të qesh

Lojtar shqiptar me shirit kapiteni në Europë mund të gjesh pak, Enriko Papa e kryen me sukses këtë detyrë në çdo javë. Futbollisti 28-vjeçar luan me ekipin e Botoshanit në elitën e futbollit të Rumanisë, që konkurron gjithmonë me vendet e sipërme të tabelës. Nëse Papa arrin që të shënojë, atëherë kemi të bëjmë me të njëjtën spektakël që e kemi parë edhe në dy golat e parë të Ernest Muçit me Legian.

Pra goditje nga distanca që nuk i lënë asnjë shpresë portierit kundërshtar për të reaguar ose edhe me rrofeshatë, me mënyrën sesi heshti Craiovan në këtë sezon. Por trajneri Reja nuk e ka grumbulluar Papën në Kombëtare dhe futbollisti vazhdon që të presë ftesën e parë me Kombëtaren.

I intervistuar nga “Sport Ekspres”, 28-vjeçari nuk është nga ato elemente që kërkon të bëjë polemika dhe zhurmë. Gjithçka i lihet në dorë Rejës që është trajneri i Shqipërisë dhe vendos për lojtarët që do në organikë, megjithëse një ftesë mund të ishte dërguar edhe për Papën. Mes një rrëfimi të sinqertë dhe të rrallë, Enriko shuan edhe diskutimet që mund të ngrenë disa njerëz që niveli i futbollit në Rumani është si ai në Shqipëri.

Megjithëse Laçi arriti të kalonte Craiovan, nga krahu tjetër gjuha e shifrave tregon ende ndryshimet e mëdha në shitjet e lojtarëve. Por pavarësisht të gjithave, Papa do të jetë aty si tifozi i parë i Kombëtares dhe gjithmonë i gatshëm për të dhënë shpirtin dhe zemrën në fushë, nëse do t’i plotësohet ëndërra e fëmijërisë.

“Normalisht që do i ndjek ndeshjet si kam bërë gjithmonë, sepse është Kombëtarja jonë e zemrës. Plus që në Kombëtare me gjysmat e lojtarëve kam luajtur nëpër ekipe, siç është Uzuni, Bare, Hoxhallari etj dhe kemi miqësi. Pra shpresoj që të dali me maksimumin e pikëve. Po shpresoja edhe besoja që kësaj radhe e meritoja një thirje në Kombëtare, por nuk jam unë ai që duhet ta gjykojë këtë gjë.

Unë kam bërë maksimumin e mundshëm. Në Rumani kam bërë një figurë mjaft të mirë dhe kam pasur oferta nga të gjitha ekipet e mëdha, por Botosani nuk më lë të largohem. Presidenti ka thënë edhe nëpër televizione që: “Më shumë fitoj me Papën në Botosani se sa ta shes”. Kjo sepse për shitjen ka qenë afërsist 200 mijë euro oferta që ka pasur, kurse nga kampionati dhe nga pozicionet fiton 4 million euro. Kështu që besoj se kam bërë shumë mirë.

Por diçka më bën të qesh, kur krahasohet kampionati i Shqipërisë me këtë të Rumanisë, që kushtet edhe kontratat janë në diferencë si dita me natën. Plus që imagjinoni, Galatasaray bleu 2 lojtarë nga Rumania, Morutan dhe Cicaldau për 6.5 milionë euro njëri dhe 6 milionë tjetri. Parma bleu Denis Man 13 milionë, Mihaila 9 milionë.

Nuk mund ti komentoj kush ka refuzuar Kombëtaren, sepse nuk i di arsyet, por mund të them që diçka nuk shkon. Kjo sepse vetëm tek ne e kam parë të refuzojnë Kombëtaren. Por besoj që duhet të bëjmë edhe ne diçka, siç ka bërë Kosova dhe siç bën çdo ekip kombëtar, të thërrasim lojtarët më në formë të momentit dhe jo vetëm kush është lojtar me emër. Duhet të ndjekim edhe ne modelin e ekipeve si Uellsi, Çekia, etj. që të bëjmë përpara. Unë gjithmonë jam gati dhe pres një ftesë që të jap maksimumin e të ndimoj kombin tim të bëjë prapë histori. Deri tani nuk ka pasur asnjë pjesëtar të Shqipërisë që më ka ndjekur mua në stadium”, deklaron Enriko Papa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *