Gjithmonë “i qan zemra” për Partizanin, nuk ka rëndësi nëse është lojtar, tifoz i thjeshtë, me post ose jo tek të kuqtë. Legjenda e të kuqëve, Edmond Dosti, e ka të pamundur që të shkëputet nga realiteti i klubit tek i cili ka kontribuar aq shumë ndër vite, duke vendosur disa tulla në shtëpinë që është ndërtuar.
Kur të tjerët kërkojnë të shkatërrojnë një punë të ndërtuar prej vitesh me radhë, siç do të bënte edhe Lerda, Dosti ishte i pari që do të reagonte, ashpër madje. Duke mos bërë sehir shumë gjatë dhe duke thënë atë që dukej qartë, por jo të gjithë e kishin guximin për të drejtuar gishtin asokohe.
E për të vazhduar më tej, kjo figurë e njohur e këtij klubi, jep vazhdimisht këshilla që te Partizani duhet t’i dëgjojnë dhe të mos bien në “vesh të shurdhër”. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Dosti vjen me një rrëfim të gjatë për të folur edhe për derbin ndaj Tiranës, por duke prekur edhe punën që ka bërë drejtori Olsi Rama deri tani, duke përfshirë këtu edhe dy këshilla.
Gjithmonë të njohim jo vetëm për kontributin që ke dhënë për Partizanin, por edhe për faktin që gjërat fliten hapur kur Edmond Dosti lë përshtypjet e tij për klubin. Si të duket skuadra në këtë pikë që ndodhet dhe të mbush me optimizëm Sormani?
E kam thënë edhe më parë që Partizani këtë vit u rindërtua që në fillim gabim. Që më heqjen e Gegës dhe ardhjen e Lerdës, gjërat nuk shkuan si duhet. Por edhe ardhjen e lojtarëve të rinjë që nuk po japin asnjë kontribut të Partizanit. Është bërë një gabim që është vonë për t’u ndrequr. Sa i përket Sormanit, unë e mbështes, por mendoj se duhet t’i jepet më shumë vëmendje trajnerëve që janë në Shqipëri.
Kur të ngrenë shumë lart, po aq shumë do të vritesh në rrëzim. Olsi Rama u vlerësua për punën në Partizanin kampion, ndërkohë nisin thirrjet tashmë në “Olsi ik”. Një vlerësim për punën e bërë në këtë drejtim dhe lojtarët e afruar?
Besoj edhe se edhe vetë Olsi nuk është i kënaqur me ecurinë dhe disa nga lojtarët e afruar në verë. Por unë jam i mendimit se nuk mund t’i jepet e gjithë përgjegjësia direkt Olsit, pasi aty ka shumë të tjerë që duhet të mbajnë përgjegjësi, por llogaritë bëhen në fund të kampionatit.
Personalisht doja t’i jepja një këshillë miqësore Olsit se ato menaxherët që ka mbrapa krahëve të mos i dëgjojë shumë. Nuk janë mirë as për veten e tij, por edhe për të mirën e Partizanit.
Unë besoj se Olsi është njeriu i duhur te Partizani dhe të bëjë atë që më premtoi në Maribor që më tha se do të punojë shumë dhe se djemtë e rinjë do të jenë baza e 3 viteve të ardhshme, me ndërthurje të ndonjë elementi të huaj. Premtimi ishte se do të ndërtonte një ekip solid për Kupat e Europës. Gjithashtu dua t’i jap edhe një këshillë tjetër miqësore që të shoh më tepër nga të rinjtë pasi janë 3-4 lojtarë, që tre janë në Gjirokastër dhe një në Laç, që janë më të mirët atje dhe mund të rikthehen.
Sa i përket parullave “Olsi ik”, janë banale dhe ne duhet t’u ofrojmë mbështetje presidentit, drejtorit dhe klubit. Këshillat për Partizanin i jap gjithmonë nga zemra dhe do të vazhdojë që ta bëjë sepse e ndiej, nuk e bëj këtë gjë për pagesë apo për gjëra të tilla. Partizani është për mua më shumë se një rrogë. Nëse do të kenë nevojë për mua, jam këtu.
Derbin e fundit që ka fituar Tirana, e ke harruar apo të vjen ende ndërmend për atë dramë në fund?
Në atë ndeshje ne duhej të fitonim pasi në minutat e fundit kishim dy shanse për ta dërguar rezultatin në 2-1. Me atë gabimin fatal pastaj që në kundërsulm Tirana shënoi, ishte një gabim i yni dhe dhuratë që i bëmë, jo se e meritoi. Duhet të kemi kujdes deri në minutën e fundit, pasi Tirana po shënon gjithmonë në minutat e fundit tani. Duhet të kemi përqendrim në 100% që të arrijmë te rezultati pozitiv.
Një histori tjetër tani! Të gjitha statistikat po t’i marrim, flasin për Tiranën favorite ndaj Partizanit(ecuria aktuale). Me çfarë pjese mund të motivohen të kuqtë që mund t’ia dalin këtë herë?
Në një derbi nuk flasin edhe shumë statistikat, pasi i ka të gjitha rezultatet brenda. Tirana është me meritë atje ku është, por është momenti që të fitojë Partizani dhe ta ndërprejë ecurinë pozitive të bardhebluve. Kështu kampionati do të bëhet më i bukur, do shkurtohen diferencat dhe kam besimin se kjo do të ndodhë. Gjithashtu edhe me pak kurajo dhe besim do të luftojmë denjësisht për të fituar titullin dhe për të mbajtur triumfin e vitit të shkuar.
Pjesa e sulmit duket se vazhdon të vuajë. Nga vëllai i Ekubanit që erdhi dhe iku me këtë përcaktim te heroi Brown, që ndaloi që nga ajo ndeshje finale ndaj Kukësit. Shpresa mbetet te Telushi edhe në derbi?
Kam mbi 5 vite që në çdo intervistë them se na mungon ai Ekubani i dikurshmi, që sot luan te Trabzonspori. Të gjitha blerjet dhe prurjet e Partizanit në 3-4 vitet e fundit, nuk ka qenë ai që duam. Pra nuk kemi pasur një sulmues pyk dhe sulmues rrace. Tani shpresojmë që në vitin tjetër të afrohen dy të tillë dhe talente të rinjë të kampionatit shqiptar.
Një goditje dënimi në afërsi të zonës. Telushi dhe Batha në ekzekutim. Kush mendon se ka më tepër mundësi për ta dërguar në rrjetë te ky derbi?
Po të dy janë lojtarë shumë të mirë që arrijnë të ekzekutojnë goditjet e lira në mënyrën më të mirë, si Telushi dhe Batha. Dhe sa i përket pyetjes tuaj…këtë herë më mirë që t’ia dali Telushi (qesh). /Sport Ekspres/