Ekskluzive/ “Nuk u pamë me Adilin te kafja poshtë shtëpisë për 3 ditë”, Hoxhaj tregon presionin e Shkodrës: Kukësi e priti Europën nga këmbët e të tjerëve

Ardit Hoxhaj ishte një prej protagonistëve të mbrëmjes magjike së Vllaznisë në Tiranë. Në një ditë ku shkodranët i luajtën…”të gjitha për të gjitha”. Fatmirësisht për ta, arritën të fitonin Kupën e Shqipërisë ndaj Laçit dhe të kalonin në Europë. Kështu u shpëtua edhe sezoni që rrezikoi të hidhej në kosh për pak. Përtej objektivave të klubit, të paktën Vllaznia bëri të lumtur të gjithë ata tifozë që kishin ardhur në Tiranë me dëshirën për të fituar. Goli i parë do të vinte nga Hoxhaj, i dyti ishte kryevepra e Adilit nga distanca. Të dy këta lojtarë e ndiejnë së tepërmi peshën e fanellës. Janë ata që kërcejnë dhe vallëzojnë së bashku kur fitojnë një ndeshje të rëndësishme, por edhe që nuk shihen me sy me njëri-tjetrin për 3 ditë kur humbasin. Të paktën, kështu u shpreh Ardit Hoxhaj për “Sport Ekspres”:

“Ishte një ndjesi shumë e veçantë për mua që të realizoja gol në finale para kësaj tifozerie të mrekullueshme. Ajo që e bën më të veçantë ndjesinë është fakti që fituam Kupën. Shkodra është shumë e ndjeshme ndaj futbollit. Kryefjala e ditës është pikërisht futbolli, të duan të jesh gjithmonë në 100% dhe të përmbushen pritshmëritë e emrit të klubit. Me çfarë kam dëgjuar këto kohë në klub, mund të luajmë përsëri në turin e parë të Conference League, jo të shkojmë direkt në të dytin.

Kohët e vështira? Të them të drejtën ne futbollistët kur fitojmë jemi lartë në qiell dhe kur humbasim, kritikohemi shumë. Adili ka ndenjur tre ditë pa dalë nga shtëpia pas humbjes me Kastriotin. Unë me Adilin jemi komshinj në Shkodër dhe për tre ditë nuk jemi parë as te kafja poshtë pallatit, ku takohemi çdo herë. Më vjen turp sa herë humbasim me paraqitje të dobëta. Kjo Vllaznia i meriton të gjitha ato që ka fituar, e them me bindje të plotë këtë gjë, ndoshta meriton edhe më shumë akoma. Sa për Kukësin, mendoj se të shpresosh nga këmbët e të tjerëve nuk është diçka konkrete”, tha Ardit Hoxhaj. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *