Ekskluzive/ “Nuk shoh më të mirë se Kristjan Asllani në Serinë A”, presidenti i Empolit: Brozovic shpërtheu 25-vjeç te Interi, Lobotka në moshën 27-vjeç te Napoli

Intervista e realizuar nga Klaudio Ndreca për Sport Ekspres me presidentin e Empolit, Fabrizio Corsi

“Nuk shoh në fakt lojtarë në atë moshë më të mirë se Asllani për momentin në Serinë A”.

Një fëmijë i mrekullueshëm po merrte formë në një klub të Serisë A. Të gjithë ata që ishin afër tij dhe e shihnin çdo ditë, e dinin shumë mirë se çfarë ishte i aftë të bënte dhe se ku ishte projektuar për të shkuar. Tifozët shqiptarë nuk ishin kaq të bindur, le të themi se nuk ishte një dashuri me shikim të parë si ato me Armando Brojën ku mjaftonte një prekje topi, një shpërthim, një goditje në portë.

Asllani luante me të rinjtë e Empolit dhe për të kishte pak vëmendje, madje edhe në momentin kur u kthye pjesë e ekipit të parë. Në momentin që trajneri po i besonte thuajse çdo ndeshje në Serinë A, atëherë vëmendja u tërheq: “Dakort, ky djalë ka diçka”.

Kështu nisi historia e këtij lojtari që në moshën 20-vjeçare është pjesë e Inter. Shqiptari Asllani ose siç ne preferojmë ta quajmë, “braziliani”, jo për t’i hequr identitetin e tij, por për t’i shtuar vlerë vetëm në mënyrën e lojës. “Sport Ekspres” ka intervistuar presidentin e Empolit, Fabrizio Corsi, i cili ka pasur një lidhje të ngushtë me lojtarët shqiptarë në gjithë këto vite. Por asnjëherë nuk i ka ndodhur në jetë që të ketë mirënjohjen që i ka ofruar një shqiptar, rasti i Asllanit.

Nga Hysaj te Asllani dhe Bajrami me Ismajlin. Cili është raporti i presidentit të Empolit me lojtarët shqiptarë, jo pak kanë qenë pjesë e juaja në këto vite të fundit apo jo?

Po është e vërtetë, kemi punuar me të gjithë këta djem shqiptarë gjatë këtyre viteve. Të gjithë flasin shumë mirë për ambientin tonë dhe është normale që të ketë interesim nga të rinjtë shqiptarë për të ardhur në Itali. Kemi një raport shumë të veçantë me ta, veçanërisht me të rinjtë që ia nisin nga moshat. Përshembull, Asllani ka filluar me ne kur ishte vetëm 10 vjeç dhe është normale që familja e tij dhe e jona të bëhet një. Hysaj ka ardhur kur ishte 14-vjeç, babai i tij erdhi këtu për të punuar. Unë jam shumë i lumtur që kam këto raporte me këto familje, por sigurisht që kjo vlen për çdokënd që vjen te Empoli.

Si ndahen punët në një klub të tillë që është pjesë e Serisë A dhe ka ndonjë element tjetër shqiptarë që po rritet te moshat, i cili duhet pasur parasysh?

Familja ime është shumë e angazhuar në menaxhimin e Empolit, është shumë prezente edhe në përditshmëri. Kjo vlen më shumë për pjesën e moshave të Empolit. Moshat tona kanë tre ndeshje nga sot deri nesër dhe të gjitha këto ndeshje janë Empoli-Fiorentina. Ne do të jemi aty për t’i ndjekur nga afër. Ka disa djem me origjinë shqiptare që luajnë tek të rinjtë e Empolit, mund të veçoj një prej tyre që është i datëlindjes 2007, i lindur në Itali, por me origjinë shqiptare. Ai ka zgjedhur që të përfaqësojë Italinë për momentin. Pra ambienti është ky, një qytet provincial dhe një shoqëri që menaxhohet nga vet familja.

Një prej basteve tuaja të fituara ishte i Kristjan Asllanit. Ishe i bindur në suksesin e këtij lojtari?

Unë kam një konsideratë shumë të lartë për Asllanin, e kam ndjekur që kur ishte 10, 11, 12 vjeç. I japim mundësinë që të bëjnë karrierë disa djemve duke parë edhe potencialin që kanë. Ndonjëherë na del për mirë, ndonjëherë nuk na del për mirë. Por në rastin e Asllanit kemi qenë të gjithë të bindur se do të bëhej një lojtar për nivelin e Serisë A.

Po çfarë mendoni se po shkon keq me Asllanin te Interi? Një lojtar të këtij kalibri, e prisnim që të kishte akoma më shumë minuta në këmbë…

Asllani është një lojtar shumë inteligjent, që luan mirë me të dyja këmbët. Tek Interi, Brozovic ka shpërthyer kur ishte 25-26 vjeç dhe ishte nën drejtimin e Contes. Është një prej lojtarëve më të rëndësishëm që ka Interi. Pra Asllani ka përpara Brozovic, duhet të konkurroj. Ka përpara disa lojtarë që janë mbi 30-vjeç dhe Asllani është ende 20-vjeç. Sigurisht që diçka i mungon për momentin, por është inteligjent dhe shumë i kujdesshëm. Në stërvitjet e javës ka për të fituar më shumë me kohën. Nuk shoh në fakt lojtarë në atë moshë më të mirë se Asllani për momentin në Serinë A . Shoh vetëm Tonalin dhe Bennacer. Bennacer është 25-vjeç, ka shkuar te Milani pas dy vitesh te Empoli, në rolin e Asllanit. Tani është lojtari më i ri e më i rëndësishëm i kampionatit në atë rol. Keni edhe rastin e Lobotka, është bërë i rëndësishëm për Napolin në moshën 27-vjeçare.

Kemi parë një dashuri të veçantë mes familjes së Asllanit dhe figurës tuaj si president. Përtej raportit normal, a ka ndonjë lidhje shpirtërore që shkon pak më tepër në këtë rast?

Familja e Asllanit është shumë e veçantë, është modeste dhe shumë e respektuar, ashtu siç është edhe familja ime. Dua t’ju them se rasti i transferimit të Asllanit te Interi, ishte hera e parë që më ndodhte në jetë. Pasi firmosi me Interin, ditën tjetër Asllani ka ardhur me babain për të më falënderuar për mbështetjen që i kemi dhënë dhe për të më përshëndetur. Me të vërtet që kishte një moment shumë emocionues mes meje dhe Asllanit në atë rast. Kjo është diçka përtej vlerës së një lojtari, ngelet në zemër.

Ne kemi dalluar edhe një rritje të dukshme të nivelit të Ardian Ismajlit me Empolin në këtë sezon. E prisnit një shpërthim të tillë?

Ismajli është bërë një lojtar me të vërtet i rëndësishëm. Ai është bërë një lojtar që mund të jetë pjesë jo vetëm e Empolit, por kudo. Sot nuk shihet vetëm performanca e parë në fushë, sot shohim edhe numrat, statistikat, analizohen paraqitjet e të gjithë lojtarëve përmes kompanive të specializuara që masin: “Duelet ajrore të fituara, duelet në tokë të fituara, përplasjet në fushë”. Nëse shohim të dhënat e Ismajlit, ato janë shumë të rëndësishme dhe kuptimplotë për ne. Nëse vazhdon kështu, besoj se në fund të vitit ky lojtar do të shkojë në një ekip shumë të rëndësishëm të Europës.

Por nga ana tjetër e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Bajramin. Ka shumë luhatje në performancë, por edhe një potencial të madh. Cili është problemi i këtij lojtari?

Bajrami është lojtar që ka shumë potencial. Ne na ka treguar shumë gjëra të rëndësishme, vitin e kaluar në janar kishte numra të pabesueshëm në gola dhe asiste. Më pas ngeli i zhgënjyer sepse nuk u transferua në asnjë ekip tjetër në qershor. Nga ana emocionale, i iku entuziazmi, por është djal fantastik. Po impenjohet si kurrë më parë në stërvitje. Hyri në ndeshjen me Lacion në 20 minutat e fundit dhe ishte vendimtar për përmbysjen e ndeshjes. Bajrami është ai që ne kemi parë në 20 minutat e fundit me Lacion. Tani ka edhe konkurrencën e një lojtari shumë të ri, që e ka thirrur edhe Mancini në Kombëtaren e Italisë. Konkurrenca do t’i bëj mirë të dyve dhe unë jam i bindur se Bajrami do të na dhuroj momente shumë të rëndësishme. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *