Me ardhjen e shtatorit prozhektorët drejton përsëri nga ekipet kombëtare, të cilat luajnë ndeshjet e radhës për kualifikueset e Kupës së Botës Katar 2022. Shqipëria e nis me një transfertë të vështirë, ku në mbrëmjen e nesërme në fushë do të ketë Poloninë e Levandovskit. E kush më mirë mund të fliste për këtë përballje se sa një futbollist që i njeh mirë të dyja Kombëtaret si Vullnet Basha.
Lojtari 31-vjeçar ka luajtuar për 4 vite në Poloni, ku ka veshur fanellën e Vislas së Krakovës, ekip me të cilin u nda këtë verë për t’ju bashkuar Ionikos Nikeas në Greqi. “Sport Ekspres“ ka zhvilluar një intervistë me mesfushorin shqiptar, i cili shpjegon arsyet e largimit nga kampionati polak, ndërsa më pas ndalet te dueli i nesërm mes Polonisë dhe Shqipërisë.
Basha nuk i ka humbur shpresat për një rezultat pozitiv, pavarësisht faktit se kundërshtarët kanë individualitete me mjaft cilësi në përbërjen e tyre. Në fund një koment vjen edhe për afrimin më të ri në radhët e kuqezinjve, Nedim Bajramin. Ky i fundit i kujton rrugëtimin e tij në arenën e Kombëtareve, teksa ashtu sikurse lojtari i Empolit, në fillim ka mbrojtur ngjyrat e Zvicrës, por më pas ka zgjedhur përfundimisht Shqipërinë. Vlerësimet për Bajramin janë vërtetë të mëdha nga ana e Vullnet Bashës, që e quan ndryshe edhe si një lloj Iniesta për nga stili i lojës.
Pas një aventure disa vjeçare në Poloni vjen firma me skuadrën greke. Përse me këtë vendim?
Pas 4 sezoneve në Poloni kërkova një sfidë të re në një shtet të ri. Pata mundesi të qendroja në Poloni, por 6 muajt e fundit nuk i kalova mirë për shkak të një lendimi në gju. Prandaj vendosa të largohem nga Polonia.
Migjen Basha ka qenë gjithashtu pjesë e futbollit grek. E vendosët së bashku që të kaloje te Ionikos Nikeas?
Po, kemi folur shumë para se të merrja vendimin. Asnjëherë nuk kam marrë vendim pa folur me Migjenin si dhe me familjen time.
Nga të gjitha eksperiencat e tua cilën veçon si kulmin tënd?
Në Spanjë te Real Zaragoza dhe në Visla. Në këto 2 klube, sepse e kam fituar respektin e shikuesve në fushë. Kjo më bën krenar.
Ku do e shohësh ndeshjen mes Polonisë dhe Shqipërisë?
Në shtëpi, në qoftë se fëmijët do të më lënë të shoh ndeshjen (qesh).
Disa kohë më parë je shprehur se Polonia do ta mundi në të dy ndeshjet Shqipërinë. Mendon se nuk do të kemi asnjë shans ndaj tyre? E përballojmë dot presionin e stadiumit të Varshavës?
Po patjetër që presioni i shikuesve mund të ngacmojë Kombëtaren tonë. Po besoj që Kombetarja do sjellë një rezultat pozitiv. Polonia nuk është në një moment të mirë.
Cilat janë pikat e forta të Polonisë dhe a mund të dalim me rezultat ndaj tyre?
Polakët kanë invidualitet. Shqipëria ka skuadër. Po të luajë si skuadër dhe me zemër, Shqipëria do të nxjerrë rezultat pozitiv.
Keni bërë të njëjtin rrugëtim si Nedimi, të rritur në moshat e Zvicrës dhe më pas zgjodhët kuqezinjtë. Çfarë mendon se do ti sjelli Bajrami Kombëtares?
Nedimi është një lloj Iniesta. Besoj që në të ardhmen do të na gëzojë shumë me shumë asistime dhe gola./Halit-Delibashi-Sport Ekspres/