Agustin Kola, legjenda e futbollit shqiptar ka dhënë mendimin e tij sa i përket Kombëtares. Shqipëria do të merrte dy fitore dhe një humbje në këto tre ndeshje të shtatorit. Ndryshe nga kritikat që jemi mësuar të shohim nga figurat e së shkuarës, Kola duartroket futbollistët aktual të Kombëtares dhe gjithmonë veçon faktin se këta lojtarë luajnë dhe përgatiten me ekipet më të mira të Europës. Ky është padyshim avantazh për ne pasi krijohet edhe grupi i fortë që mund të mposht rivalë të njohur, shumë më ndryshe nëse do të luanim vetëm me prodhimin vendas. Në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres”, Kola shprehet:
“Këto djem meritojnë shumë komplimente pasi janë çuna të rinj dhe po luajnë futboll të bukur, po luajnë para. Deri dje kemi luajtur vetëm në mbrojtje. E kam thënë më para dhe e përsëris prapë, këta çuna të rinj po luajnë në botën e huaj, jo në Shqipëri. Kam shumë respekt për kampionatin shqiptar, por nuk bëhesh dot për nivele të larta me dy orë stërvitje në ditë. Ne në kohën tonë bënim dy orë në mëngjes dhe dy orë pasdite stërvitje. Nuk ka më lojtarë mendjemëdhenj te Kombëtarja. Më pëlqeu shumë Reja që i tërhoqi veshin Manajt pas ndeshjes. Po bënte finte dhe kur e pyetën mbi lojën pas 5 golave, tha: “Jo jo, nuk jam i kënaqur. Ato topat me thembër…”.
Edhe pas pesë golave, i tërhoqi vëmendje. Por në krahasim me para dy vitesh Manaj është shumë mirë, po luan me ekipin. Koha jonë dikur me Shqipërinë? Ne shkonim për të mos ngrënë shumë gola. Imagjino pak që të udhëtosh gjithë natën Tiranë-Bukuresht dhe të luash futboll pastaj. Ishte tjetër kohë, shihnim një kinez dhe i rrinim gatitu, kemi qenë të mbyllur. Këta djemë sot luajnë në botën e huaj. Rumenigen e shihja në televizor dhe thoja “ubububu”. Kur dilnim jashtë atëherë në kohën e Enverit na pyesnin se nga vinim dhe ne: “Albania, Albania”. Asnjëri nuk e dinte, pastaj ia tregonim me gisht në hartë. “Ah, Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Domethënë na njihnin ende me Skënderbeun. Koha ka ndryshuar tani, por duhet të vazhdojmë me lojtarët që janë të formuar në ato vende dhe luajnë atje. Ju keni Taulant Seferin, sa erdhi te Tirana nga Young Boysi fillon me vath dhe flok të lyer.
Objektivi i Kombëtares? Me rëndësi është që grupi të kënaqet, që futbollistët të vazhdojë me lojërat e mira dhe më pas të shohim. Tani edhe unë kam dëshirë jo të shkojmë në Botëror, por ta fitojmë. Por duhet të kënaqemi me këto ndeshje dhe me Kombëtaren që po luan në sulm. Reja më ka pëlqyer shumë deri tani dhe shoh shumë prespektiv nga skuadra. Stafi i Kombëtares bashkëpunon shumë mirë dhe i pyet të gjithë për të dhënë mendimin dhe kontributin për një ndeshje. Të ishin shqiptarë do thonin e vendos si dua unë se jam unë këtu dhe pikë, e mbajmë hundën përpjetë. Kritikat? Ata që kritikojnë kanë qenë ish-shokët e mi në Kombëtare, kanë qenë pjesë e saj në shkuarën dhe nuk është bërë asgjë. Tani duhet të japim meritat dhe hakun kur duhet. Kush janë ata që kritikojnë? I dimë emrat e tyre. Starova ka hyrë edhe për president të FSHF, për mua është njësoj si ai tjetri Selmani Jenisheri”, ka thënë Kola. /Sport Ekspres/