Një skandal i madh ndodhi në mbrëmjen e djeshme gjatë finales mes Greqisë dhe Kosovës. Vendasit arritën që të fitonin me shifrat 2-0 ndaj dardanëve duke marrë përfundimisht vendin e parë në grup. Ndërkohë nga ana tjetër, një sjellje e turpshme ka ndodhur nga grekët që kanë goditur tifozët shqiptarë të Kosovës me sende dhe objekte të ndryshme. Gjithashtu Amir Rrahmani do të pohonte në fundin e takimit se ishte ofenduar nga trajneri i Greqisë. “Sport Ekspres” ka marrë prononcimin e gazetarit nga Kosova, Mërgim Rrecaj, i cili u gjend në stadium në mbrëmjen e djeshme. Por këtë herë Mërgimi dhe disa gazetarë të tjerë nuk ishin në tribunën e shtypit, pasi kishin zgjedhur që ta shikonin ndeshjen nga shkallët e stadiumit me tifo grupi dardanët.
“Së bashku me disa gazetarë të tjerë ishim afër tifo-grupi “Dardanët” në ndeshje ndaj Greqisë. Ishte eksperiencë e mrekullueshme të mbrojmë ngjyrat tona, por ishte e pabesueshme urrejtja e madhe që grekët kishin nga minuta e parë ndaj nesh. Thirrje të ulëta nacionaliste, provokime me flamuj serb, thirrje për v.dekje të shqiptarëve dhe sulme me sende të rrezikshme në drejtimin tonë. Fatmirësisht nuk kishte të lënduar. Organizimi ishte zero sa i përket institucioneve, policia vetëm vëzhgonte situatën, ne u detyruam që të vetëmbrohemi. Kishte edhe disa fëmijë që kishin ardhur me familjarët e tyre dhe u goditën po ashtu.
Sigurimi nuk e bëri dot punën, por fatmirësisht ne ishim grup pranë njëri tjetrit për t’u mbrojtur në cdo situatë. Ky rast është një alarm i madh dhe këto veprime duhet të marrë dënim maksimal, pasi në të kundërtën do të ketë gjithmonë e më tepër raste të tilla, që mund të përfundojnë më keq. Por kjo nuk do të na ndaloj që të përkrahim Kosovën dhe futbollin shqiptar në përgjegjësi. Ne do të jemi gjithmonë aty ku janë edhe ngjyrat tona, i pëlqen dikujt apo jo”, tha Mërgim Rrecaj. /Sport Ekspres/