Ekskluzive/ Munishi: Disa shqiptarë punuan goxha mirë për ta dënuar Skënderbeun në Europë

Ballkani e ka mbyllur si kampione e dimrit në elitën e futbollit të Kosovës, pavarësisht konkurrencës së madhe. E drejtuar nga Ismet Munishi, rezultatet pozitive nuk kanë munguar dhe po besohet shumë për të dalë me trofe në fundin e sezonit. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Munishi ka bërë edhe një analizë të kampionatit shqiptar. Për ta nisur nga Skënderbeu, atje ku nuk mund të rrihej pa folur për dënimin.

“Niveli i Superiores është më i dobët se në vitet e kaluara. Kjo pasi nuk ka një super skuadër si Skënderbeu. Kampionati shqiptar është më i varfër dhe nuk e ka atë ekipin e kompletuar që shkonte në Europë. Të gjithë jemi të njohur me rastin e Skënderbeut, që nuk ka pasur asnjë tjetër me atë lloj dënimi në Europë. Nuk është dënuar vetëm ky klub, por edhe futbolli shqiptar. Nuk e kanë kuptuar njerëzit në Shqipëri këtë, pasi u shkatërruar lokomotiva e Superiores. Unë mendoj se e kemi lënë pak vetëm Skënderbeun, e kemi lënë si jetim dhe nuk e mbrojtëm sa duhet. Pastaj kam dëgjuar që ka pasur edhe disa shqiptarë që kanë punuar goxha mirë për ta dënuar Skënderbeun”.

Ndërsa kur flitet për Tiranën dhe trajnerin Egbo, theksi vendoset te fakti se bëhet fjalë për një teknik që ka shumë vite në Shqipëri.

“Puna e trajnerit është specifike. Më vjen mirë për Tiranën dhe që u kthye në garë, pasi është ekip i madh. Egbo nuk është vetëm trajneri i portierëve, e njeh shumë mirë futbollin aty dhe ka vite në Shqipëri. Nuk ka rëndësi nëse ka stërvitur portierët, futbolli ka vetëm një rrugë dhe një gjuhë. Kush e kupton mirë, ka përparësi. Ka pasur raste kur trajnerët e portierëve janë bërë shumë të mirë në drejtim të ekipit në të kaluarën”.

Gjithashtu në intervistën për “Sport Ekspres”, i pyetur nëse do të pranonte projektin e një klubi shqiptar, Munishi është shprehur: “Kam raporte shumë të mira me presidentin e Teutës, Hasanbelliun, me presidentin e Besës, Bizhdilin, por edhe me Takajn. Gjithesesi do të varej nga projekti, megjithëse për momentin dhe në të ardhmen mbetem i fokusuar te Ballkani”, ka thënë Munishi. /Sport Ekspres/