Gentian Mezani e ka gjetur prej kohësh formulën për të fituar dashurinë e tifozëve. Fjalëpak, shumë punë dhe me premtime modeste, por që rriten javë pas jave duke parë rezultatet që arrijnë skuadrat të cilat i drejton, duke i marrë maksimumin fushës së blertë.
Pasi formula e suksesit, është një perfeksion që kurrë nuk mund të arrihet, por vetëm t’i afrohesh. Mezani është gjithmonë e më afër kësaj rruge, pasi po i dëshmon vlerat e tij edhe në Kosovë. Ajo që ra në sy gjatë merkatos së verës, ishte se shumë lojtarë cilësorë të Superiores, shkonin në të njëjtin vend: “Gjilani”.
Pikërisht atje ku drejton edhe trajneri i sipërpërmendur. Sigurisht që projekti ishte arsyeja kryesore që këta lojtarë i bindi, por edhe trajneri ka shumë ndikim. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Mezani bën edhe një analizë të kampionatit shqiptar, ndërsa sheh një të ardhme të ndritur përpara.
Nisja e kampionatit të ri në Kosovë. A po funksionon gjithçka sipas planit në këto ndeshje të para?
Mendoj që si një skuadër e re duhet të jemi të kënaqur me këtë fillim të kampionatit, pasi ekipi ende nuk është në 100% e tij.
Tërheqja e vëmendjes te lojtarët e Superiores pas humbjes me Trepçën rezultoi efektive. Shpërthyen ndaj Ferizajt. Cila ka qenë biseda juaj pas këtyre dy ndeshjeve?
Nuk do të shprehesha në këtë mënyrë. Them se lojtarët duke ardhur nga një kampionat tjetër, padiskutim që nuk mund ta njihnin aq mirë kampionatin në Kosovë. Besoj se pas asaj ndeshje me Trepçën, të gjithë e kuptuan se duhej më shumë motivim. Kemi folur së bashku dhe ka rezultuar pozitive. Në skuadër kam lojtarë me eksperiencë dhe cilësi të mira.
Mbetemi tek kjo temë. Sa ndryshimeve ka ndërmjet dy kampionateve dhe për çfarë i ke këshilluar futbollistët e ardhur nga Shqipëria më së shumti?
Shikoni, ndryshimi mes dy kampionateve është se në Shqipëri luhet më shumë në anën taktike. Ndërsa këtu nuk mungon cilësia dhe dëshira është shumë e madhe për të ecur përpara, për të bërë mirë në çdo ndeshje. Futbollistët e ardhur nga Shqipëria i dinin objektivat e klubit dhe janë koshientë për atë që duhet të bëjnë në fushën e lojës.
Lojtari që të ka dalë më shumë nga parashikimi deri tani? Bushiç duket se do të luftoj pêr golashënuesin e gjithë kampionatit.
Lojtarët nuk më kanë dalë nga parashikimi. Deri tani kanë shprehur cilësitë e tyre sipas mendimit tim. Bushiç është një lojtar ku padiskutim në sezon e fundit ka bërë mirë në Superiore. Tani shpresoj se do të vazhdoj edhe këtu.
Superioren vazhdon ta ndjekësh? Do të vazhdojnë Luftëtari dhe Flamurtari me luftën e mbijetesës për një kohë të gjatë?
Po sigurisht që vazhdoj ta ndjek. Është ende herët për të thënë se kush do të luftoj për mbijetesë edhe pse të dyja këto skuadra nuk e kanë nisur mirë kampionatin.
Si arrite ta bindësh Ylli Shametin të ndërroj skuadër? Duhet të ketë qenë luftë e madhe…
Ishte e vështirë t’i bindja të gjithë, jo vetëm Shametin. Klubi ka një projek dhe këta lojtarë u bashkuan me projektin.
Nëse në Shqipëri do të rezultoj në fundin e kampionatit më pak cilësi se në atë që shkoi, “e ka fajin” Mezani për merkaton?
Jo nuk mendoj se në Shqipëri mungon cilësia edhe pse Mezani tërhoqi disa lojtarë cilësorë në Kosovë. Në Shqipëri po del një brez i ri sportistësh, duke parë që skuadra si Flamurtari, Luftëtari, Laçi, Skënderbeu por edhe ekipe të tjera, po inkuadrojnë në ndeshje lojtarë shumë të rinjë. Është vetëm fillimi dhe jam i sigurt që me kalimin e ndeshjeve në Superiore, do të tregohet gjithë potenciali dhe cilësitë, siç është bërë deri më tani. Ndoshta në fund nuk do të flasim më për Mezanin, por për një kampionat shumë të fortë dhe me lojtarë të rinjë shumë cilësorë. /Sport Ekspres/