Qazim Laçi është simboli i Kombëtares nëse bëhet fjalë për shpirtin dhe zemrën e Shqipërisë. Sa herë që këndohet himni, mesfushori mbyll sytë dhe këndon himnin ku goja nxjerr fjalët e zemrës. Në një intervistë për “Koha Shtesë” në “Sport Ekspres”, këtë herë kemi intervistuar babain e Qazim Laçit, Emin Laçin, që ka treguar jo pak detaje emocionuese. (Videon e plot të intervistës e gjeni më poshtë)
“Në U-17 e Greqisë, e donin Qazim Laçin. Trajneri i Greqisë U-17 më thirri në zyrë dhe më kërkoi Qazimin, që ta merrte në Kombëtare. I thashë: “Të lutem, djali është mirënjohës për Greqinë, se e zhvilloi karrierën këtu, por mos ma bëj ftesën. Më lërë që të shkojë në Shqipëri. Qazimi? Më tha direkt kur e pyetën se kë do mes Shqipërisë dhe Greqisë: “Dua Shqipërinë”. Atëherë qante me netë nga gëzimi kur i vinte ftesa e Shqipërisë. Frikë nga djegia në Greqi? Jo, i thashë: “Ke babin këtu”.
Kur humbëm ndaj Islandës dhe tifozët kërkuan lojtarët për të folur me ta, Qazimi u ul te shtylla me kokën ulur. I thashë: “Pse mo babi?”. Më tha: “A mo babi, këta tifozë nuk e meritojnë këtë, duhet të japësh shpirtin për ata tifozë. Nuk ma hapi telefonin pas ndeshjes, më ka marrë 24 orë pas ndeshjes, ditën tjetër pasdite.
E kam prenotuar hotelin në Gjermani. Mendoj se Europiani është mbyllur, vetëm të shkojmë si vendi i parë tani. E dua edhe unë Serbinë në grup. E dua vetëm për futboll, jo të ngatërrohem me dhunë e këto gjëra të tjera, vetëm një ndeshje futbolli që ne të fitojmë dhe t’i tregojmë…këta janë djemtë shqiptarë. Jam i bindur se do të fitonim ne.
Qazimi foli me disa lojtarë të Çekisë pas ndeshjes me Shqipërinë se disa prej tyre luajnë në një ekip me Qazimin. I kishin thënë: “Nuk ka gjë se humbëm, e prisnim edhe të humbisnim, por 1-0, 2-1, jo të na rrihte Shqipëria 3-0. Bravo, bravo, keni super ekip dhe atmosferë fantastike, jemi çuditur”, ka thënë Emin Laçi që zbuloi kështu bisedën e Qazimi me lojtarët e Çekisë. /Sport Ekspres/