Torrasa i ka dhënë kreun e Superiores bardhebluve gjatë pasdites së sotme, duke fituar me rezultatin 2-1 ndaj Kukësit. Megjithatë në atë rast meritën më të madhe do e kishte Kobina, që bëri gjithçka në perfeksion për ta nxjerrë me portën e boshatisur shokun e skuadrës.
Në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres”, Torrasa ka ndarë lumturinë dhe gëzimin e fitores. Gjithashtu një vlerësim ka edhe për trajnerin Egbo, që sipas vetë lojtarit, askush nuk e njeh më mirë Tiranën. Por kur flitet për titullin kampion, tashmë kryeqytetasit e kanë të qartë se duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë.
“Sot ishte një ndeshje shumë e rëndësishme sepse luanim me vendin e parë në Superiore, kemi fituar. Por në fund të takimit këto kanë vlerë vetëm tre pikë. Kishte shumë emocione për mënyrën si shkoi dhe për ekipin që kishin ata. Duhet të vazhdojmë, pasi ka ende shumë rrugë përpara, ne duhet të këmbë në tokë, deri në fund.
Egbo ka respektin e të gjithë lojtarëve, ka shunë eksperiencë, e njeh ekipin e Tiranës më shumë se të gjithë këtu. Kjo është merita vetëm e tij, për atë jemi të gjithë të lumtur, për klubin, për vendin dhe të gjithë familjen. Sepse kur të gjitha shkojnë mirë, të gjithë jemi të lumtur.
Siç kam thënë gjithmonë, ne duhet të shkojmë deri në fund të kampionatit për të qenë kampion. Nuk mund të them tani që jemi kampion, pasi mungojnë edhe 12-13 javë deri në fund të kampionatit. Por duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë, siç thashë më parë, me këmbë në tokë”, ka thënë Torrasa. /Sport Ekspres/