Nga Klaudio Ndreca
Në mesin e një organike të pasuruar me sulmues te Kombëtarja e Shqipërisë, ku dallohen talentet e reja, gjendet edhe Florian Kamberi. Tanimë ky futbollist i përket kuqezinjëve, megjithëse trajneri Reja dhe tifozët shqiptarë nuk e kanë parë ende në fushën e lojës për pengesa burokratike dhe për shkakun se St Gallen nuk e lejoi në Shqipëri nga frika e COVID.
Por për të gjithë ata që e kanë ndjekur Kamberin, me bindje të plotë mund të thuhet se është lojtari ndryshe që i mungon Kombëtares. Një “Armando Broja” me më shumë vite eksperiencë pasi vetëm këta dy sulmues kanë aftësitë që jo vetëm të shënojnë, por të driblojnë mbrojtësit kundërshtar dhe të shpikin magji në fushën e lojës, për të vendosur ndeshjen.
Vetëm pesë muaj më parë Kamberi do të rikthehej në Zvicër duke nënshkruar me nënkampionët e St Gallen. Por kjo aventurë do të mbyllet përpara kohe pasi Floriani është lojtari më i paguar i skuadrës, ndërsa trajnerit të zviceranëve do i duhet të dalë nga skema që pëlqen për ta aktivizuar në fushën e lojës.
Megjithatë, kjo nuk përbën asnjë problem! “Sport Ekspres” mëson se Florian Kamberi pëlqehet nga Ançeloti dhe ekipi i Evertonit është shprehur i interesuar për ta marrë në “Premier League”. Së bashku me ofertën e paraqitur nga klubi anglez, që është huazim me të drejtë blerje, ka ardhur edhe interesimi i lartë i Bochum në Gjermani.
Tashmë gjithçka varet nga ekipi i St Gallen për të parë se ku do ta dërgojë Florian Kamberin, ndërsa futbollisti i pëlqen të dyja mundësitë. Ndërkohë që na sigurohet se brenda katër ditëve do të ardhshme do të jetë mbyllur edhe kjo histori për sulmuesin shqiptar që ka mundësi të bashkëpunojë me një tjetër figurë të njohur në Europë, pasi më parë punoi me Steven Gerrard te Rangers. /Sport Ekspres/