Marko Çetkoviç është shpallur në ditën e djeshme si lojtari më i mirë i vitit në Malin e Zi. Një çmim që ka ardhur pasi po shkëlqen te Sutjeska edhe me golat e realizuar. Por një përshtypje shumë të mirë Cetkoviç ka lënë edhe në Superiore, ku luajti me Partizanin dhe Laçin.
Si një rregjizor shihej në fushë dhe dashurinë e tifozëve e ka fituar lehtë. “Sport Ekspres” ka bërë një intervistë së fundmi me këtë lojtar, që ka qenë pjesë e 6 kampionateve të ndryshme si edhe në Serbi dhe Poloni, por Superioren e ka veçuar mbi të gjitha.
Lojtari i Vitit, urime! Sa emocion të dha ky nderimi në Malin e Zi?
Sigurisht që ishte çmimi individual më i madh që kam fituar në karrierë, për një pjesë të madhe të viteve kam qenë i dyti apo i treti. Tani e fitova dhe ndihem mirë që të jem lojtari më i shquar i kampionatit.
Sa kujtime të sjell futbolli që ke luajtur në Shqipëri? Të shkruajnë ende njerëzit?
Njerëz më kontaktojnë çdo ditë që kur jam larguar. Një numër i lartë i tifozëve nga Laçi dhe Partizani më shkruajnë në rrjetet sociale, më japin mbështetje. Unë jam krenar që kam luajtur në futbollin tuaj, në Superiore dhe ndoshta aty ka qenë futbolli më i mirë që kam luajtur ndonjëherë në jetën time.
Pra ka një rritje të cilësisë së futbollit sipas jush?
Njerëzit në Shqipëri janë të dashuruar me futbollin, kampionatin dhe infrastruktura po rritet dita-ditës. Është bukur që ta shohësh. Unë kam kujtime të bukura nga aty. Edhe tani kur kam kohë të lirë vij në Shkodër apo Tiranë të vizitojë miqtë e mi.
Këtu përflitet edhe për ndërhyrjen nga presidentët e klubeve. Ty të ka ndodhur ndonjë gjë e tillë?
Lojtarët e futbollit janë gjithmonë në presion, por në disa kampionate është më prezente se në disa të tjerë. Por presioni është i nevojshëm nëse dëshiron të bësh një gjë të madhe.
Nëse Partizani vendos që të rikthejë në skuadër, do ta shqyrtoje ofertën?
Unë kam kontratë deri në fund të majit dhe pas kësaj jam i hapur për negocime. Siç e thashë, kam kohë të bukura në Shqipëri, 2 vite e gjysmë. Nuk është e pamundur që të kthehem. Unë jam 33-vjeç, por ndihem mirë që të jem i sinqertë. /Sport Ekspres/