Ekskluzive/ “Armando Broja të heq burrërinë”, vlerësimi i veçantë nga Alban Bushi: Të linte pa mend, me brezin e ri kalojmë grupet e Europianit…

Nga Klaudio Ndreca

“Do të vijë një moment që kur të shkojmë në aeroport të themi se vijmë nga vendi i Armando Brojës, nëse djaloshi do të vazhdojë kështu”. Kjo ishte shprehja e Alban Bushit kur sulmuesi shqiptar ishte ende “askushi”, pa u njohur në arenën e futbollit europian. Tifozët shqiptarë kishin parë pak nga talenti i tij me grupmoshat e Kombëtares, por në fakt nuk ishte hera e parë.

Jemi mësuar shpesh me lojtarë që spikasin dhe na lënë pa fjalë në fillimet e karrierës së tyre dhe më pas zhduken tërësisht. Frika ishte e madhe se Armando Broja do të ishte vetëm i radhës dhe për këtë arsye, entuziazmi nuk ishte i nivelit të lartë që në fillim. Pasi sulmuesi e tregoi veten te Viteshe, në Premier League dhe me Kombëtaren, tani mund të çlirohemi…

Pra Alban Bushi ka qenë një prej trajnerëve të parë që ka guxuar për të dalë me superlativa për Brojën, fjalë të cilët sot kanë më shumë vërtetësi se kurrë. I pyetur në një prononcim për “Sport Ekspres” rreth këtij vlerësimi që tanimë është i njohur nga të gjithë tifozët, Bushi shprehet:

“E kam thënë para dy vite në mos gaboj që në grumbullimin e parë kur e morëm te Shqipëria U-21. Pashë diçka shumë të veçantë te ai që nuk e kam parë deri më sot te asnjë lojtar, ato cilësi në atë moshë aq të vogël. Shpërthimi i tij me topin të linte pa mend dhe finalizimi… Në një moment mendova: “Pse duhet të luajmë, i hedhim një top të gjatë Brojës dhe mbaron puna”, thotë Bushi mes batutës.

Por a është ky lojtari që do ta dërgojë Shqipërinë në një Botëror ose Europian? “Shqipëria ka lojtarë të mirë dhe që luajnë në ekipe shumë serioze, por Broja është super talent që tanimë vlerësohet nga gjithë bota e futbollin. Personaliteti i tij, dëshira e tij, karakteri që ka, Broja nuk të bën për burrë, çdo mbrojtës në botë e shkatërron.

Futbolli është lojë koletive dhe nuk mund të bësh asgjë i vetëm, as Mesi nuk mundet, por si shumë lojtarë të tjerë, mund t’i japi një dorë Shqipëria që ka bërë hapa të mëdha në futboll dhe infrastrukturë. Jo vetëm që do të futemi në Europian dhe Botëror, por do të kalojmë grupe, Po vjen një bres shumë i mirë, thjesht sportistët tanë duhet të jenë të përulur dhe të sakrifikojnë sa më shumë të munden për fanellën e Kombëtares”, tha Bushi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *