Nga Klaudio Ndreca
Armando Broja arriti që të debutonte me ekipin e parë të Chelseat në përballjen që u zhvillua ndaj Evertonit, duke i’u shpërblyer gjithë puna e bërë me të rinjtë dhe golat e pafundmë që realizoi atje. Por më pas ka pak hapësira të dhëna nga ana e Lampard, që në ndeshjet pas Koronavirusit teksa “Premier League” po i drejtohej fundit, nuk ka zgjedhur që ta grumbullojë sulmuesin shqiptar.
Tashmë është një “luftë” më vete mundësia që Broja të jetë sërish në fushë me Chelsean A, pasi londinezëve i është bashkuar edhe Timo Werner. Teksa në skuadër kanë Batshuajin, Giroud dhe Abraham, hapësirat vetëm sa minimizohen. Por Armando Broja nuk ka vetëm cilësi të jashtëzakonshme, këtu duhet t’i shtohet edhe ego e madhe që të ngjason me Kristiano Ronaldon. Asnjëherë nuk hiqet dorë dhe gjithmonë luftohet për të pamundurën, me punën dhe përkushtimin për të realizuar dëshirën e vetme, jo duke kaluar në një plan B.
Kështu edhe Broja ka refuzuar së fundmi një mundësi që i vinte nga Holanda, nga një skuadër e elitës dhe që i garantonte më tepër hapësirë. Sulmuesi shqiptar nuk kërkon të dëgjojë asgjë tjetër dhe do të provojë shanset për të fituar një vend titullari te Chelsea A, të paktën duke e provuar deri në merkaton e janarit të vitit të ardhshëm. /Sport Ekspres/