Nga Klaudio Ndreca
Jemi në kohë merkato dhe disa legjionarë të Kombëtares Shqiptare janë duke gjetur ekipe të reja. Ardian Ismajli ka bërë një tjetër lëvizje në karrierën e tij pasi ishte pjesë e Spezias në sezonin që lamë pas. “Sport Ekspres” mëson se është arritur marrëveshja me Empolin për transferimin e lojtarit shqiptar.
Për më tepër që prezantimi zyrtar te ekipi i sapo ngjitur në Serinë A do të bëhet gjatë pasdites së sotme, rreth orës 17:00. Nga krahu tjetër Spezia do të përfitojë një sasi të konsiderueshme parash, shifra e saktë e cila nuk është zbuluar ende, por njëkohësisht edhe një mbrojtës që i vjen si “paketë” nga Empoli.
Kjo tregon fare mirë vlerësimin e madh që kanë te Empoli për Ardian Ismajlin. Ky i fundit do të shkëlqente në Kroaci për të qenë mur i pakalueshëm me Hajdukun, ndërsa gjithashtu arriti të fitonte vendin e titullarit te Kombëtarja brenda pak kohësh. Sa i përket sezonit të parë të Ismajlit në Serinë A ishte më shumë sesa pozitiv, sidomos nëse veçojmë ndeshjet e mëdha ku mbrojtësi ka dëshmuar të gjitha vlerat e tij. /Sport Ekspres/