Në datën 19 gusht Tirana nis ëndrrën për Champions League. Pengesa e parë që do të ketë përballë është Dinamo e Tbilisit, ekip të cilin bardheblutë nuk e kanë një emër të panjohur, pasi e kanë eliminuar më parë. Megjithatë short inga vetë Egbo cilësohet i vështirë, pavarësisht se kanë shmangur klube të tjera të forta.
Në një prononcim për “Sport Ekspres”, trajneri i Tiranës thekson faktin se kundërshtari gëzon një formë më të mirë për arsyen se tashmë janë në javën e 10 të kampionatit. Bardheblutë janë duke studiuar gjeorgjianët për të kaluar në turin e dytë, ku përballë me shumë ngjasa do i presë Crvena Zvezda. I pyetur në lidhje me ta, Egbo përgjigjet se do të flasë vetëm pasi të ketë fituar ndeshjen e parë.
“Shorti në Champions është i vështirë, por duke parë ekipet e tjera që ishin si kundërshtarë të mundshëm, mendojë se kemi skuadrën më pak të fortë sesa Makabi, Karabaku apo Astana. Kemi mundësi për kualifikim. Dinamo Tbilisi është emër i njohur për mua sepse kam luajtur kundër tyre dhe kemi arritur kualifikim. Kanë lojtarë cilësorë dhe luajnë të bashkuar taktikisht, janë agresiv si ekip.
Të gjithë në klub e kanë pritur me pozitivitet këtë përballje dhe kemi nisur të kërkojmë për ndeshjet e Tbilisit, që të kem sa më shumë informacione për këtë kundërshtar. Nuk mund të them që jemi më lartë se kundërshtari. Ata do të luajnë në shtëpi dhe janë në javën e 10 të kampionatit, prandaj janë pak më të avantazhuar se ne. Ekipin e kanë gati, kurse ne kemi disa lojtarë që kanë ardhur së fundmi dhe duan kohën e tyre për ambientimin. Sa i përket Crevena Zvezdës do flasim pasi të kemi kaluar në turin tjetër. Duhet të merrem me ndeshjen që kemi tani njëherë dhe pastaj të flasim për raundin tjetër”, u shpreh Egbo. /Halit Delibashi-Sport Ekspres/