Gjendja e vështirë që po kalon vendi ynë këto ditë ka bërë që shumë personalitete apo klube futbolli të senzibilizohen me Shqipërinë. Një tjetër akt njerëzor dhe për tu vlerësuar vjen nga fqinjët grekë. Është pikërisht skuadra kampione në fuqi e Greqisë, Paoku, që ka hapur dyert e stadiumit “Toumba”, ku kanë nisur të mblidhen ndihma për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Kështu, të gjithë ata që kanë pasur mundësi kanë dhuruar ushqime, veshje, barna apo çfarëdo gjëje tjetër për t’i ardhur në ndihmë banorëve që janë duke përjetuar pasojat e kësaj ngjarjeje të rëndë./Sport Ekspres/