Ekipet e vogla provinciale! Olsi Rama i etiketoi kështu rivalët e Partizanit, Kolela e di mirë gabimin dhe sesi fitonte Juventusi në Itali

Partizani mund ta përdor ndeshjen e fituar në derbi me Tiranën si një varkë shpëtimi për gjendjen e tij në kampionat. Vetëm pak para kësaj u ndeshje u përfol se Kolela kërkonte të largohej nga ekipi.

Por me këtë sukses të arritur, historia ndryshon dhe ekipet e kryeqytetit ndajnë vendin e parë së bashku. Menjëherë pas këtij takimi, Olsi Rama tregoi në “Oversport” sesa e lehtë është të përgatitet kjo ndeshje: “Më e lehtë është të përgatisësh një derbi sesa me ekipet e vogla provinciale”.

Pikësëpari, ndoshta kjo nuk është gjuha më e mirë e mundshme e përdorur për rivalët e tjerë të Partizanit në kampionat. Për më tepër që loja e prodhuar nga Tirana dhe Partizani në fushën e blertë nuk kishte asgjë më tepër se ajo e ekipeve të vogla provincale. Në fund, të gjithë sportdashësit më të ftohtë dolën të lumtur nga spektakli i tifozëve, që e tepruan deri diku, por askush nuk doli i lumtur me ndeshjen që u ofrua në fushë.

Kolela e di mirë se kampionati nuk fitohet me ndeshje direkte, por duke fituar me ekipet më të vogla, ashtu siç Juventusi bëri për disa vite me radhë në Serinë A. E parë në këtë këndvështrim, Partizani ka humbur shumë dhe për këtë arsye nuk ndodhet i shkëputur nga Tirana tanimë. E nëse vazhdojmë të flasim për bilancin në ndeshjet direkte, Vllaznia mund të ketë arsye më tepër për t’u krenuar me skuadrat e kryeqytetit, por edhe shkodranët vuajnë nga i njëjti problem si i Partizanit. Një ndeshje derbi e fituar dhe më pas vjen një humbje e papritur. Ky është futbolli, me siguri që të gjitha skuadrat më të vogla në letër do të jenë edhe më të motivuara pas kësaj deklarate të drejtorit të Partizanit. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *