Nga Klaudio Ndreca
Safet Gjici ka qenë i ftuar në emisionin “Fan Zone” për të diskutuar rreth temave të ndryshme dhe të fundit në futbollin shqiptar. Kështu presidenti i nderit të Kukësit shprehet se brenda pak ditësh do të kemi zhvillime të reja për vazhdimin e kampionatit në vendin tonë.
Por sigurisht që nuk mund të lihej paprekur edhe tema e polemikës në distancë me Partizanin, ndërsa nëpërmjet një zyrtari tek të kuqtë, u cilësuan investimet në Kukës që ishin të bëra në një ekip province. Gjici është shprehur se këto ekipe duhet të bëjnë njëherë historinë e Kukësit në Europë, për të prentenduar që të marrin fonde dhe për të ndërtuar në vendin e tyre. Gjithashtu ka pasur edhe një “incident”, ku fjala e presidentit të Kukësit nuk po dëgjohej qartë për shkak të lehjes së qenëve në shtëpinë e tij ku ndodhej në Kukës.
“Pasi të marrim një pranim nga ana e Ministrisë së Shëndetsisë për vazhdimin e stërvitjes, atëherë do të na vijnë edhe lojtarët nga jashtë Shqipërisë. Besojmë se nga e hëna do të kemi zhvillime të reja për nisjen e stërvitjes së ekipit.
Jeta e njeriut është mbi të gjitha. Nuk duhet të merremi me futbollin, kur kemi një situatë lufte teksa ka familje në nevojë dhe Bashkia po bën punën e saj. Gjithsesi edhe unë jam pranë klubit, nuk është se nuk kam asnjë informacion. Kemi një skuadër të mirë, kishim shumë dëmtime para shpalljes së pandemisë dhe Tirana është me meritë aty ku është. Punimet tona në stadium po vazhdojnë, ndoshta jo si në ritme normale për shkakun e pandemisë, por forcat do të shtohen me lirimin e masave.
Kemi bindjen se nga fundi i gushtit do të jetë gati stadiumi. Tribuna kryesore është 80% e mbuluar. Të bëhet një stadium në Gjirokastër ose Sarandë? Po pse jo, pasi të bëjnë historinë tonë. Se kam dëgjuar disa drejtuesa klubesh që na cilësojnë si ekip province. Por nëse duan stadium, atëherë le ta bëjnë njëherë historinë tonë.
(Lehjet e qenëve në shtëpi i ndërpresin fjalën) “Se jam edhe në shtëpinë në fshat dhe kam 5 qenë këtu. Po bëjnë edhe ata stërvitje, u lejohet atyre në këtë kohë të pandemive. Janë tre qenë të mëdhenj dhe dy të vegjël dhe them shpeshherë: “Ore do të mbani distancën ju apo jo”. (Qesh)
Vazhdimi i kampionatit? FSHF e ka bërë punën e saj, e ka dërguar protokollin dhe besoj se në ditët e ardhshme do të ketë një mbledhje. Se duan edhe lojtarët kohën e tyre për 2-3 javë stërvitje. Nëse nuk vjen një përgjigje që ne të bëhemi gati nga data 4-5 maj, atëherë le ta mbyllin fare kampionatin dhe ta lënë kështu si është me renditje.
Akuzat e Rexhinaldos për mos marrjen e pagës për dy muaj? Nuk jam arkëtar i klubit, por dhe ata u kujtuan vonë”, thotë Gjici. /Sport Ekspres/