Egnatia, skuadra e destinuar për të vendosur rekorde në Superiore

Nga Harilla MARKU

10 pikët distancë nga ndjekësi më i afërt, Partizani, ekipi kampion në fuqi, janë “paja” me të cilën ka të drejtë të krenohet Egnatia. Rrogozhinasit e mbajnë të palëkundur kreun e Superiores qysh prej gati fillimit të kampionatit, duke e thelluar “arratisjen” nga java në javë.

Edhe përballja e fundit direkte me “demat e kuq” dëshmoi se skuadra e Edlir Tetovës është elitare, për t’u mundur. Vetën një shqërqendrim i vogël në kohën shtesë ia hoqi nga duart fitoren e çmuar, që ishte “gatuar” përmes një goli të bukur nga distanca, shënuar me mjeshtëri nga Spahiu.

Sidoqoftë, sprova direkte e rrogozhinasve me Partizanin nuk kishte asgjë për t’u qortuar. Egnatia duket në rrugën e duhur dhe, nëse do të ishte në fuqi skema e vjetër e kampionatit, pa “final four”, me siguri tashmë do ta kishte “prekur” titullin.

Ndeshjet shtesë, përtej 36 javëve kampionat, janë diçka e re, që mbeten për t’u parë. Asgjë nuk mund të parashikohet për to, teksa gjithçka nis nga zero për katër skuadrat e renditura të parat, që do të ndeshen mes veti për kampionin. Me rëndësi është si shkojnë skuadrat në atë “finish”.

Ky është edhe shqetësimi i trajnerit Tetova dhe stafit të tij teknik, për ta ruajtur ritmin e lartë deri në “final four”. Statistikat e skuadrës rrogozhinase janë për “kornizë” deri tani. Veç kreut të Superiores me 47 pikë në 22 ndeshje, +10 pikë nga vendi i dytë, Egnatia ka shënuar më shumë gola se rivalët e tjerë; 42 të tillë. Kjo tregon për forcën konkluduese të rrogozhinasve, jo vetëm përmes repartit sulmues, por si grup i bashkuar dhe koheziv.

Portieri Sherri mund të konsiderohet më i miri në Superiore, jo vetëm se ka pësuar më pak, por për pritjet e mrekullueshme që bën dhe sigurinë që i jep skuadrës. Një kandidat potencial për kombëtaren kuqezi. Ashtu si Xhemajli, që po rritet nga ndeshja në ndeshje dhe është bërë “postblloku” i pakalueshëm i prapavijës së Egnatias.

24 janë golat e pësuar nga rrogozhinasit në 22 javë kampionat, pothuajse një gol për ndeshje, mesatare mjaft e ulët. +18 është golaverazhi i skuadrës së Tetovës, më pozitiv se i gjithkujt tjetër në Superiore. E thënë ndryshe, një skuadër me ekulibër të admirueshëm, që bën mirë në të dyja fazat e lojës, difensive dhe ofensive.

Mesfusha e Egnatias është më e mira në Superiore, sepse përbëhet nga emra të spikatur si Aleksi, Fernando, Zejnullahu, Spahiu, Ibrahimoglu etj. Turku, i ardhur në merkaton e dimrit, po dëshmohet një lojtar me shumë fantazi e vizion, duke i dhënë më shumë rrjedhshmëri lojës së të tijve.

Sulmi vërtet ka humbur goleadorin e paharruar Dwamena, por si repart nuk ka shënuar më pak pas ndarjes nga jeta të ish-kapitenit. Në janar është larguar Paulaskas, por ka mbërritur Montenegro, një sulmues me shumë potencial, rrezik serioz permanent për mbrojtjet kundërshtare.

Pra, ngado ta kundrosh skuadrën e Tetovës, lëvdatat janë të paevitueshme. Gjithçka e merituar përmes futbollit të bukur e rezultativ në fushën e blertë, përmes statistikash që do t’i kishin zili edhe gjigantë europianë. Fokusi dhe përqendrimi mbetet i lartë, sepse rruga deri në fund të kampionatit është ende e gjatë.

Është bërë vërtet shumë deri tani, por nuk është arritur ende asgjë. 36 javë kampionati nuk do të mjaftojnë për titullin, as 10 apo më shumë pikë distancë nga vendi i dytë. Është “final four”, ai që i mban me shpresa rivalët e Egnatias, pasi pikët të zerohen, ndryshe titulli do ta kishte marrë rrugën e merituar tashmë, për këtë sezon. Tetova dhe të tijtë nuk kanë ndërmend “të flenë mbi dafina”, por të vazhdojnë me këtë ritëm, duke e mbajtur këmbën në pedalen e gazit deri në vërshëllimën e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *