Rrogozhinasit të suksesshëm në miqësore. Mundin edhe ballshiotët, që humbasin penallti me Shoshin
BYLIS – EGNATIA 0-1
SHËNUES: / Anthony 11’
BYLIS: Xhorxheviç, Ntefe, Bella, Shoshi, Buzi, Luiz Henrikue, Kullira, Çukuka, Murataj, Kolgegaj, Gisie. Trajner: M. Troisi. (U aktivizuan: Sinaj, Mehmetaj, Hoxhaj, Lutaj, Samnda)
EGNATIA: Heremi, Vogli, Nako, Bakiasi, Rexhepi, Dosti, Baze, Anthony, Melani, Mile, Agbodike. (U aktivizuan: Gjoka, Selimaj, Gjyla, Merja, Birja).
GJYQTARË: R. Muskaj, M. Shazivari, F.Shkëmbi (Tiranë)
SHËNIM: Në 32’ portieri Haremi i Egnatias pret 11-m e gjuajtur nga M. Shoshi.
Fatmir Efica
Ashtu siç bëri në Kavajë me Apoloninë të mërkurën ku fitoi 2-1, edhe dje në Pezë, Egnatia ka vijuar serialin e saj të fitoreve. Ka qenë goli i nigerianit Beji Anthoni që ka rikonfirmuar momentin pozitiv që po kalon skuadra e drejtuar nga trajneri Vladimir Gjonaj e cila nuk po njeh “stopim” prej askujt. Pak rëndësi ka tashmë termat ndeshje miqësore apo zyrtare. Egnatia po tregon konkretisht se është e papërmbajtshme. Po dëshmon një performancë pozitive që vijon madje ta ridimensionojë potencialisht. Fitorja e djeshme me Bylisin rrit edhe më dozat e optimizmit. Gjatë ditëve të fundit që skuadra është stërvitur në kushte ideale në “Resortin Tropikal” dhe ka treguar impenjim e seriozitet shembullor si për të rritur komponentët e përgatitjes së gjithanshme fizike e tekniko – taktike, por për të konsoliduar formacionin e saj më të mirë. Duhet thënë se konkurrenca e grupit kryesor dhe të ashtuquajturve lojtarë alternativë, është ngushtuar së tepërmi. Rasti i nigerianit Beji Anthony që ka shënuar dje golin e fitores, lojtar që ka luajtur më pak se nigerianët e tjerë në 12 javët e gjysmës së parë të kampionatit, tregon për integrimin e mirë që ka grup, duke u kombinuar më së miri shkollat e përvojat e ndryshme mes lojtarëve.
NDESHJA – Egnatia ka shënuar shpejt, që në 11’ me anë të nigeriani Anthony që ka qenë dje, sipas zëvendës-trainerit Ermir Gosa një prej futbollistëve më të dalluar te Egnatia. Por edhe Bylis reagoi duke fituar një 11-m në 32’. Portieri i Egnatias Oltion Haremi ka pritur gjuajtjen e kapitenit ballshiot Mariglen Shoshi. Pas këtij momenti Egnatia, ka administruar më mirë rrjedhën e lojës, e madje nëpërmjet Miles e Agbodikes mund e duhet të kishte shënuar sërish. Pavarësisht fitores ndaj një ekipi të fortë siç është Bylisi, nr. 2 i pankinës rrogozhinase Gosa, u shpreh se nuk ka vend për as më të voglën eufori, por ekipit i duhet të qëndrojë me “këmbë në tokë”. Bylisi po konsolidohet, madje po provon edhe lojtarë cilësorë. Skuadra e brazilianit Troisi dje ka treguar një nivel të kënaqshëm ndonëse është në kulmin e përgatitjeve, ndonëse pati mungesën e Zisit. Por, duhet theksuar se nga ballshiotët është larguar edhe Gabriel Gisie që nuk ka bindur stafin.