Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është deputet i zgjedhur në Vlorë, ku shpesh ka bërë premtime të bujshme për futbollin, por deri tani nuk është parë asgjë konkrete, si për privatizimin e shumëpërfolur të klubit, ashtu edhe për ndërtimin e kompleksit sportiv apo të stadiumit të ri.
Megjithatë, sot në “Top Story” në Top-Channel kryeministri është kujtuar për Flamurtarin, kur është pyetur për çështjen e zgjedhjeve të ardhshme në FSHF dhe kandidimit të mundshëm të Bashkim Finos: “Nuk jam ndonjë tifoz i skuadrave të kampionatit shqiptar, nuk e ndjek fare atë. Nuk është e mirë kjo që them, por kështu është. Gara për president në FSHF? Gjithkush është i lirë të kandidojë për gjithçka. A është Fino kandidat? Gjithkush ka të drejtën e tij, unë nuk ndërhyj në zgjedhjet e FSHF-së. Megjithatë, di që Flamurtarit i kanë ngrënë disa pikë”.