Lionel Mesi ka shtuar në palmaresin e tij edhe trofeun e vetëm që i mungonte. Kupa e Botës më në fund është në duart e tij, pavarësisht se iu desh të priste Botërorin e 5-të për ta bërë diçka të tillë. Shumë personalitete të futbollit gjendeshin në stadium për të ndjekur nga afër finalen e madhe mes Francës dhe Argjentinës, e cila nuk zhgënjeu askënd për emocionet që dhuroi.
I pranishëm në tribunë ishte edhe i vetëdeklaruari “Zoti“ i futbollit. Zllatan Ibrahimoviç ka qenë së bashku me bashkëshorten e tij në Doha, ku kamerat e kanë filmuar duke parë suksesin e Lionel Mesit. Ibrahimoviç ka parë 7 herë fituesin e Topit të Artë të ngrejë një trofe që ai vetë do të ëndërronte ta kishte në duart e tij. Një dëshirë që lexohet në vështrimin e tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/