Mesfushori vlonjat Hair Zeqiri do të luajë për Kamzën në pjesën e dytë të sezonit, mëson Sport Ekspres. 29-vjeçari, i cili në karrierën e tij ka luajtur vetëm për Flamurtarin e Kukësin në Shqipëri, do të provojë kështu një aventurë të re, për herë të parë në një ekip që nuk lufton për titull.
Kamza ka ndërtuar një skuadër të shkëlqyer këtë sezon dhe për një kohë të gjatë ka qenë në garë edhe për vendin e dytë, por e mbylli vitin me 3 humbje dhe kjo e ka zbritur disi në renditje.
Megjithatë, drejtuesit e Kamzës nuk janë demoralizuar dhe kanë ndërmend që jo vetëm të ruajnë thuajse të plotë skuadrën e pjesës së parë të sezonit, por edhe të afrojnë emra cilësorë.
Do të largohet qendërmbrojtësi Ivan Fushtar për te Partizani, ndaj duhet urgjentisht qendërmbrojtës, por edhe një mbrojtës krahu, ndaj klubi po punon me intensitet, ndërsa ka arritur marrëveshjen me Zeqirin, i cili shton ndjeshëm cilësinë në mesin e fushës.
Aventura e këtij sezoni në Kukës shkoi keq për Zeqirin, i cili u largua për mosmarrëveshje me drejtuesit, të cilët ishin të pakënaqur me rezultatet e skuadrës, por në Kamzë Zeqiri do të jetë një vlerë e shtuar në një mesfushë ku luajnë lojtarë mjaft energjikë e agresivë, por u duhet edhe një lojtar me cilësi të shkëlqyera në organizim dhe në dhënien e pasimit të fundit për sulmuesit Plaku e Raçiç.