Pak ditë më parë Lorenc Trashi deklaroi se shpreson që të largohet jashtë Shqipërisë këtë verë dhe ka biseduar me klubin, ndërsa tashmë një tjetër mesfushor i rëndësishëm i Partizanit, Idriz Batha, bën të ditur se koha e tij me të kuqtë po merr fund.
Në një intervistë për Supersportin, mesfushori i njohur zbulon se po sheh ofertat nga jashtë, ndërsa me partizanin e quan gjithçka të mbyllur.
Ka shumë zhgënjim në fjalët e Bathës, i cili thumbon klubin për ndryshimet që bëri kur erdhi Moxhi në drejtim.
“Me 99% mund të them se jam i larguar nga Partizani. Kemi biseduar edhe me drejtuesit për një zgjatje kontrate, por që nuk ramë dakord për diçka dhe vendosëm ndërprerjen e bashkëpunimit. Më vjen keq që gjërat erdhën kështu. Gjithsesi, nuk mund të hedh poshtë gjithçka që kam kaluar në atë ekip për këto vite. Dy ndeshjet e fundit nuk mund të hedhin poshtë gjithçka.
“Ky ishte një vit për t’u harruar, i cili që në fillim nisi keq me ardhjen e Moxhit dhe italianëve tek Partizani. Nuk mund të ecej përpara pa pasur një grup të cilët luajnë prej kohësh. Për ne që ishim si “garda e vjetër”, ishte si presion, pasi gjithçka po na faturohej neve. Ky ishte një term i gabuar, pasi të gjithë ne luftonim që ta çonim Partizanin më lart. Ishim më të fortë me Ekubanin, Torasën apo Cetkoviçin. Nuk jam në bisedime me ndonjë klub në Shqipëri, pasi kam dëshirë për një aventurë jashtë vendit”, deklaroi Batha.