Emanuel Ebué, nga yll i futbollit, në falimentim dhe fshehje nga drejtësia, edhe pse vetëm 34 vjeç dhe deri para dy vitesh paguhej rreth 2 milionë euro në vit të Gallatasaraj. Mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë ka rrëfyer makthin e tij për Sunday Mirror: “Jam pa kokërr leku, kam menduar edhe vetëvrasjen”.
Gjithçka lidhet me një divorc, një betejë e egër ligjore humbur ndaj bashkëshortes Aurelie. Gjyqi i ka kushtuar miliona dhe mbi të gjitha humbjen e tre fëmijëve, që nuk i takon prej një viti e gjysmë. Tani ish-mbrojtësi i famshëm fle shpesh në shtëpinë e një miku, përtokë, ndërsa udhëton vetëm me autobus, sepse nuk ka makinë, si dhe nuk ka as lavatriçe: “I laj vetë xhinset e mia, i laj vetë gjithë rrobat e mia. Më janë bërë duart si punëtor fabrike”.
Ebué bëri edhe një thirrje për ndihmë: “Do pranoja çdo lloj ndihme, por do isha shumë i lumtur nëse do të më ndihmonte Arsenali. Ndoshta mund të ndihmoj lojtarët e rinj në moshë. Kur shoh që ish-shokët e mi janë ende në botën e futbollit, jam i lumtur për ta, por më vjen turp për gjendjen time. Duhej të isha edhe unë me ta”.
Apeli i tij nuk ka rënë në vesh të shurdhët, sepse të Gallatasaraj janë prekur dhe i kane ofruar drejtimin e një prej skuadrave U-14 të klubit. Trajneri legjendar Fatih Terim deklaroi dje: “Jemi informuar për historinë e tij fatkeqe dhe do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar një mik”.