“E zgjidhi Lushkja”! Ndihmësi i Ndreut tregon situatën anormale te Kastrioti: Po luajmë pa qendërmbrojtësa, nuk kemi pikët

Laçi ka marrë fitore shumë të rëndësishme në ndeshjen e fundit të këtij viti futbollistik ndaj Kastriotit. Heroi i kurbinasve ishte Regi Lushkja që e hapi takimin në minutën e 9 dhe e mbylli në të 83. Fillimisht Lushkja dhuroi një perlë nga distanca duke mos i lënë asnjë mundësi portierit kundërshtar për të reaguar.

Në pjesën e parë ishte dominim i dukshëm i Laçit dhe Kastriotit nuk shihej në fushë. Ndërkohë pjesa e dytë dhuroi tjetër panoramë, me krutanët që po e kërkonin golin e ngulm. Për t’i shuar shpresat mendoi sërish Lushkja që kaloi portierin për golin e dytë.

Kështu shkohet në festa me Mirel Josën që i ka bërë kurbinasit të besojnë sërish te “Babagjyshi i Vitit të Ri”. Pas nisjes skandaloze të sezonit, Laçi arrin që të marrë vendin e dytë dhe numërojnë vetëm një humbje me Vllazninë dhe një barazim me Partizanin, duke i fituar të gjitha ndeshjet e tjera me Josën në krye. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:

Josa: “Skuadra ishte me këmbë në tokë, nuk mendoi se e kishim të fituar ndeshjen më herët. Ishte një nga ndeshjet më të vështira gjatë kësaj periudhe 5 javore. Ishte ndeshja e fundit e vitit. Ndeshje jo e mirë? Më shumë ndikoi lodhja se nënvlerësimi. Kastrioti ishte vendosur mirë dhe duhej të bënim më mirë ne për t’i thyer në mbrojtje. Goli i parë i Lushkjas na vuri pak në gjumë. Në këto raste jam i kënaqur që nuk pësuam pasi Kastrioti kishte dy mundësi të mira. Nëse Kastrioti do të na shënonte, do e kishim shumë të vështirë. Cdo trajner mirëpret lojtarët me cilësor. Presidenti më ka thënë se do të bëjmë 2-3 afrime”.

Rustami: “Në fillim kishim menduar që të ishim më të kujdesshëm. Nuk është se na mungoi agresiviteti, por Laci ishte skuadra më në formë. Kemi bërë një gabim në mesfushë dhe Lushkja e zgjidhi i vetëm. Pastaj kishim shumë mundësi për të shënuar në të dytën, raste njëri pas tjetrit dhe nuk ia dolëm. Në ndryshim nga sezoni i kaluar kur kemi grumbulluar shumë pikë në fazat e para, këtë herë nuk e kemi bërë këtë gjë. Po na mungojnë shumë pikët. Në merkato duhet të marrim qendër mbrojtës, tani po luajmë pa qendër mbrojtës, por kemi improvizuar dy mesfushorë me tipare difensive aty”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *