“E vështirë të hapësh telefonin nga interesi i tifozëve“, Hasani: Nuk e bënte Muçi ekipin, Tirana fanellë e rëndë

Ditën e nesërme rikthehet për të gjithë teleshikuesit klasika e futbollit shqiptar. Vllaznia pret Tiranën në një duel që gjithnjë ia ka arritur të sjellë emocione për tifozët. Dy ish-futbollistë të skuadrave respektive, Alban Hasani dhe Sokol Bulku, kanë qenë të ftuar në emisionin “Sport Magazine“ në “Ora News“ të moderuar nga Drilon Xhepollari, ku kanë folur për sfidën e nesërme. Hasani tregon për interesin e lartë të tifozëve si dhe për ecurinë e kësaj Vllaznie, për të cilën thotë se i druhet vetëm vetes në rrugëtimin për titull kampion.

“Këto dy ditë është e vështirë të hapësh telefonin, sepse njerëzit kanë dëshirë të vijnë të shohin ndeshjen në stadium, që është krejtësisht e pamundur. Nëse do të ishin stadiumet hapur, do të kishte mbi 20 mijë vetë në stadium ndeshjen e nesërme.

Tirana është Tiranë. Ka lojtarë të mirë. Nuk e bën një ekip as Muçi, as ndonjë lojtar tjetër. Është një fanellë e rëndë. Por sidomos kur luhet klasikja shqiptare, nuk ka rëndësi se kush luan, mund të jenë edhe lojtarët e U19-s, por është një derbi i Shqipërisë. Nëse duam të jemi për titull kampion dhe minimalisht për Kupat e Europës, duhet ta fitojmë.

Vllaznia ka bërë merkaton më të mirë në muajin janar. Janë lojtarë që të gjithë kanë luajtur 90 minuta në kampionatet e tyre dhe janë jashtëzakonisht të mirë. Avdijaj është një lojtar që e ka trajneri, sepse e ka pasur te Volfsburg dhe i njeh vlerat e tij. Është një vlerë e shtuar. Ka ardhur me një kosto të ulët financiare. Ka një kontratë 6 mujore, ku do të rishikohet nga klubi në bazë të rendimentit që do të japë me Vllazninë. Është një bast i trajnerit Brdariç, që besoj do ta fitojë, sepse është një djalë shumë punëtor dhe me një CV të pasur.

Vllaznia i druhet vetëm ekipit të vetë. Nuk jam dakort që është treni i fundit. Treni i fundit mund të jetë për Tiranën, sepse po humbi rrezikon rënien nga kategoria, ndërsa Vllaznia minimalisht Kupat e Europës. Vllaznia është një ekip që luan gjithnjë pastër, nuk favorizohet nga arbitrat, nuk merr asnjë fitore me mënyrë të pistë, por është një ekip me lojtarë të rinj që luajnë futboll të bukur”, ka deklaruar Alban Hasani.

Ndërkohë në krahun tjetër Bulku është i mendimit se ekipet do të hyjnë me frikë në fushë. Këtë argument ish-futbollisti bardheblu e mbështet në faktin se kjo përballje është treni i fundit për këto skuadra, në mënyrë që të arrijnë objektivat  e tyre.

“Të dyja do të futen me frikë, sepse kanë shansin e fudnit. Edhe Vllaznia, nëse dështon këtë ndeshje i afrohen më shumë kundërshtarët që ka pas. Tirana nëse nuk fiton do largohet akoma më shumë. Kështu që është një ndeshje delikate. Për Tiranën është shansi i fundit, sepse vështirësohet kampionati. Ulet numri i ndeshjeve dhe kundërshtarët bëhen më agresivë”, ka thënë Sokol Bulku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *