Mes mjegullës mediatike të ngritur për stolin e Partizanit, ku së fundmi Brdariç u përfol si pasardhësi i Mehmetit, ky i fundit zgjedh të japë përgjigjen e tij në mënyrën që di ta bëjë më mirë… me anë të futbollit. Kreu i pankinës së “demave të kuq” e tregoi mbrëmjen e djeshme se sa i vlen lëkura.
“Kukës Arena” priti dje një nga ndeshjet më të rëndësishme të javëve të fundit të “Abissnet Superiores” dhe në lartësinë e pritshmërive të tifozëve qendroi edhe niveli i lojës së zhvilluar. Në 45 minuta “Kukës Arena” u shndërrua në “Wembley Stadium”. Këtë herë përveç flamujve të Anglisë të hapur në stadium nga tifozët kuksian, Mehmeti i solli Kukësit diçka plus, pak shije të futbollit anglez, duke i dhënë kështu më tepër vërtetësi dëshirës së Kukësit për një stadium si në “Wembley”.
Pjesa e parë e ndeshjes së ndjeshme ofroi një ritëm si asnjëherë më parë në “Abissnet Superiore”. 45 minutëshi i parë ishte i një niveli Champions League dhe për këtë mjafton të shohësh rastet që Partizani ka pasur në dispozicion. Pëllumbi bën heroin për të ndalur Skukën që sapo kishte kaluar edhe portiern, traversë e goditur nga të kuqtë, dy gola mjaft të bukur nga Xhunior dhe raste të tëra të shpërdoruara. Në fund fitorja ishte e gjitha e merituar për kryeqytetasit, që nën drejtimin e Mehmetit kanë njohur vetëm rritje dhe presin që bileta për në Europë të jetë shpërblimi më i mirë për mundin e tyre./Sport Ekspres/